Home / Lajme / Rajoni / Studimi: Shqipëria mbetet e varur nga reshjet për prodhimin e energjisë

Studimi: Shqipëria mbetet e varur nga reshjet për prodhimin e energjisë

Shqipëria vijon të jetë ndjeshëm e ekspozuar ndaj kushteve hidrike për sigurimin e energjisë elektrike.

Një studim i publikuar në Discover Environment vlerëson se, në kushtet e prurjeve të ulëta, importet bruto mund të përbëjnë 39.17 për qind të energjisë së disponueshme, ndërsa në vitet me kushte të favorshme hidrike kjo peshë zbret në 24.13 për qind.

Studimi i autorëve Raimonda Dervishi, Ahmed Kadhim Hussein dhe M. Saraswathy analizon të dhënat e bilancit energjetik të Shqipërisë për periudhën 2000–2024, duke matur ndikimin e kushteve hidrike mbi vetë-mjaftueshmërinë, importet dhe humbjet në sistem. Sipas autorëve, disponueshmëria e ujit është faktori më i rëndësishëm që përcakton se sa energji mund të sigurojë vendi nga prodhimi vendas dhe sa duhet të importojë.

Në skenarin e thatë, intensiteti i importeve arrin në 39.17 për qind, ndërsa në kushte normale zbret në 32.31 për qind. Në një vit me kushte hidrike të favorshme, niveli reduktohet në 24.13 për qind. Diferenca prej rreth 15 pikësh përqindjeje konsiderohet nga autorët si tregues i ekspozimit të Shqipërisë ndaj tregjeve rajonale të energjisë kur prurjet hidrike dobësohen.

Në vitet e lagështa rritet ndjeshëm vetë-mjaftueshmëria

Varësia nga kushtet hidrike reflektohet edhe në prodhimin vendas. Indeksi i vetë-mjaftueshmërisë energjetike rezulton 0.703 në skenarin e thatë, rritet në 0.823 në kushte normale dhe arrin në 0.983 në skenarin e lagësht. Kjo tregon se vetëm në kushtet më të favorshme hidrike sistemi afrohet me mbulimin e energjisë së disponueshme nga prodhimi vendas, ndërsa gjatë periudhave të thata krijohet një deficit që duhet kompensuar përmes importeve.

Studimi evidenton gjithashtu ndikimin e aktivitetit industrial. Pas kushteve hidrike, aktiviteti industrial rezulton faktori tjetër me lidhje të fortë me intensitetin e importeve. Në vitet me aktivitet më të lartë industrial, nevoja për energji nga jashtë priret të rritet, veçanërisht kur prodhimi hidroelektrik është i kufizuar. Në të kundërt, PBB-ja për frymë dhe anomalitë e temperaturës nuk rezultojnë me një ndikim të pavarur po aq të fortë në të dhënat vjetore të analizuara.

Humbjet në rrjet varen më shumë nga investimet dhe reformat

Autorët bëjnë një dallim mes varësisë nga importet dhe humbjeve në rrjet. Ndërsa prodhimi vendas dhe importet ndikohen fort nga kushtet hidrike, reduktimi i humbjeve lidhet kryesisht me faktorë të brendshëm, si modernizimi i rrjetit, investimet, përmirësimi i matjes, zbatimi i masave dhe reformat institucionale. Sipas studimit, moti shpjegon luhatjet në furnizim, por jo ecurinë afatgjatë të humbjeve të energjisë.

Për të zvogëluar ekspozimin ndaj reshjeve, studimi rekomandon përshpejtimin e diversifikimit të prodhimit përtej hidrocentraleve, kryesisht nëpërmjet energjisë diellore dhe asaj të erës, të kombinuara me kapacitete magazinimi, rritjen e fleksibilitetit të rrjetit dhe menaxhimin më të mirë të kërkesës.

Autorët theksojnë se diferenca prej rreth 15 pikësh përqindjeje mes importeve në kushte të thata dhe të lagështa mund të përdoret si një tregues praktik për vlerësimin e kapaciteteve shtesë dhe fleksibilitetit që i nevojitet sistemit energjetik shqiptar.

Megjithatë, shifrat nuk përbëjnë parashikim për një vit të caktuar. Ato janë rezultat i një modeli që simulon tri regjime hidrike, të thata, normale dhe të lagështa, duke mbajtur faktorët e tjerë në nivelet mesatare. Gjithashtu, treguesi i prurjeve është ndërtuar mbi reshjet vjetore dhe nuk mat drejtpërdrejt rezervat në hidrocentrale, menaxhimin e baseneve apo periudhën kur ndodhin prurjet. Studimi përfundon se, edhe pas dy dekadash ndryshimesh në sektor, siguria energjetike e Shqipërisë mbetet shumë e ndjeshme ndaj sasisë së ujit në dispozicion.

/ekofin.al

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com