Home / Lajme / Rajoni / Serbia zgjat uljen e akcizës për karburantet deri më 27 shtator

Serbia zgjat uljen e akcizës për karburantet deri më 27 shtator

Qeveria e Serbisë ka zgjatur edhe për një javë masën e përkohshme për uljen e akcizës për karburantet, duke e mbajtur atë në fuqi deri më 27 shtator, në kohën kur çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare vazhdojnë të jenë të larta.

Sipas vendimit të publikuar në Gazetën Zyrtare, akciza do të mbetet në 54 dinarë për litër për benzinën dhe 55.53 dinarë për litër për naftën deri më 27 shtator.

Masa e uljes së akcizës është në fuqi që nga marsi, kur autoritetet serbe nisën ndërhyrjet për të kufizuar ndikimin e rritjes së çmimeve të naftës në tregun vendas. Përpara uljes së parë, akciza ishte 72 dinarë për litër për benzinën dhe 74.04 dinarë për litër për naftën, transmeton Energy Monitor.

Krahas uljes së akcizës, Serbia aplikon edhe kufizim të çmimeve maksimale të karburanteve në tregun vendas. Për periudhën 18–25 shtator, çmimi maksimal i naftës është përcaktuar në 236 dinarë për litër, ndërsa benzina mund të shitet deri në 207 dinarë për litër.

Çmimi maksimal i naftës është rritur me 2 dinarë për litër krahasuar me javën paraprake dhe me 36 dinarë që nga fillimi i luftës në Lindjen e Mesme. Për benzinën, rritja është 2 dinarë në bazë javore dhe 26 dinarë që nga fillimi i konfliktit.

Zgjatja e masës në Serbi vjen në një periudhë kur edhe vende të tjera evropiane po përdorin ulje taksash, subvencione dhe masa të tjera për të kufizuar ndikimin e çmimeve të larta të karburanteve. Rumania, për shembull, ka zgjatur uljen e akcizës për naftën, ndërsa vende të tjera të BE-së kanë ndërmarrë masa të ndryshme fiskale dhe subvencione për konsumatorët dhe sektorët e transportit.

Në Greqi, autoritetet kanë paralajmëruar masa për të kufizuar ndikimin e çmimeve të larta të karburanteve para sezonit të dimrit, ndërsa subvencionimi i naftës vazhdon edhe gjatë tetorit.

Në Itali, qeveria ka përdorur ulje të përkohshme të akcizës për naftën, ndërsa në Spanjë janë aplikuar gjithashtu masa fiskale për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve, përcjell Energy Monitor.

Përveç masave të ndërmarra nga shtetet individuale, rritja e çmimeve të karburanteve ka nxitur diskutime edhe në nivel të Bashkimit Evropian për mënyrën se si mund të kufizohet ndikimi i krizës së energjisë tek konsumatorët dhe ekonomia.

Në Serbi, qeveria pritet të vendosë nëse masa për uljen e akcizës do të zgjatet sërish pas 27 shtatorit, ndërsa çmimet e karburanteve do të vazhdojnë të përcaktohen në baza javore.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com