Shkencëtarët kanë testuar me sukses panele diellore në një thellësi prej 10 metrash nën sipërfaqen e detit, duke hapur mundësi të reja për furnizimin me energji të pajisjeve nënujore.
Testimi u zhvillua pranë Ishujve Weizhou, në Detin e Kinës Jugore. Gjatë një prove dyorëshe, panelet arritën të gjenerojnë energji nga drita që depërton në ujin e detit.
Teknologjia është projektuar për të shfrytëzuar gjatësitë e valëve të dritës së diellit që mund të kalojnë përmes ujit. Sipas studiuesve, kjo mund të përdoret në të ardhmen për të furnizuar pajisje nënujore dhe për të zgjatur kohën e funksionimit të tyre pa u mbështetur vetëm në bateri, përcjell Energy Monitor.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore Joule, paraqet një hap përtej eksperimenteve të mëparshme, të cilat kryesisht janë zhvilluar në thellësi deri në rreth dy metra.
Testet laboratorike të studiuesve sugjerojnë gjithashtu se panelet mund të ruajnë funksionalitetin për periudha të gjata, potencialisht për vite, megjithëse përdorimi i tyre afatgjatë në kushte reale detare kërkon testime të mëtejshme.
Energjia diellore nënujore mund të jetë veçanërisht e dobishme për pajisjet që monitorojnë oqeanet, sensorët dhe sistemet autonome që duhet të qëndrojnë për periudha të gjata larg sipërfaqes.



