Home / Lajme / Tjera / Mungesa e energjisë vonon projektet e inteligjencës artificiale

Mungesa e energjisë vonon projektet e inteligjencës artificiale

Zgjerimi i shpejtë i inteligjencës artificiale po përballet me një pengesë gjithnjë më të rëndësishme: sigurimin e energjisë elektrike për qendrat e reja të të dhënave.

Një nga shembujt më të fundit vjen nga SHBA-ja, ku Project Jupiter në New Mexico, një kompleks i madh qendrash të të dhënave që po ndërtohet nga STACK Infrastructure për nevojat e OpenAI dhe Oracle, mund të përballet me vonesa për shkak të problemeve me furnizimin me energji.

Reuters raportoi se Oracle ka aktivizuar një klauzolë “force majeure” në lidhje me projektin. Kjo i mundëson kompanisë të mbrojë pozicionin e saj kontraktual në rast se projekti nuk përfundon sipas afatit. Oracle, megjithatë, ka deklaruar se Project Jupiter mbetet në planin e paraparë, ndërsa Blue Owl, pronarja e STACK Infrastructure, ka thënë se njoftimi nuk ndryshon angazhimet financiare të palëve, njofton Energy Monitor.

Projekti tregon një problem që po shfaqet në shumë investime të reja në këtë sektor. Ndërtimi i qendrave të të dhënave mund të ecë përpara, por sigurimi i energjisë, lidhja me rrjetin dhe ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme mund të marrin më shumë kohë.

Kërkesa për energji po rritet veçanërisht për qendrat që përdoren për inteligjencën artificiale. Serverët që përpunojnë modelet e IA-së kërkojnë shumë energji dhe, bashkë me sistemet e ftohjes, krijojnë një kërkesë të madhe dhe të vazhdueshme për energji elektrike.

Në SHBA, projektet e reja po përballen edhe me mungesë të kapaciteteve të rrjetit, vonesa në lidhje, leje të ndërlikuara dhe kundërshtime lokale. Në rastin e Project Jupiter, përveç furnizimit me energji, projekti është përballur edhe me probleme të tjera infrastrukturore, përfshirë vonesa lidhur me një tubacion të planifikuar të gazit dhe çështje për lejet e ujit dhe cilësisë së ajrit.

Blue Owl ka rreth 3 miliardë dollarë kapital të investuar në projekt, ndërsa Jupiter ka siguruar rreth 18 miliardë dollarë kredi nga një grup bankash, sipas raportimeve të mediave. Kompleksi është pjesë e marrëveshjeve më të gjera për krijimin e kapaciteteve të nevojshme kompjuterike për OpenAI.

Problemi nuk është vetëm amerikan. Rritja e konsumit të energjisë nga qendrat e të dhënave po bëhet çështje gjithnjë më e rëndësishme edhe në vende të tjera, ndërsa kompanitë teknologjike kërkojnë lokacione ku mund të sigurojnë energji të mjaftueshme dhe të qëndrueshme, përcjell Energy Monitor.

Kjo po shtyn edhe qeveritë të shqyrtojnë mënyrën se si qendrat e të dhënave lidhen me sistemet energjetike dhe kush duhet të mbulojë kostot e kapaciteteve të reja.

Sipas Morgan Stanley, investimet globale në qendra të të dhënave pritet të arrijnë në rreth 2.9 trilionë dollarë deri në fund të vitit 2028, pa përfshirë infrastrukturën shtesë energjetike. Vetëm investimet në këtë infrastrukturë mund të kërkojnë qindra miliarda dollarë.

Për industrinë e inteligjencës artificiale, kjo do të thotë se energjia po bëhet një nga faktorët kryesorë që përcakton ku mund të ndërtohen qendrat e reja të të dhënave dhe sa shpejt mund të hyjnë ato në funksion.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com