Kompania shqiptare Vega Energy ka siguruar një kredi prej 15 milionë eurosh nga Green for Growth Fund (GGF), për të financuar zhvillimin e projekteve të energjisë diellore në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Kredia ka afat gjashtëvjeçar dhe do të përdoret për blerjen e pajisjeve dhe mobilizimin e ekipeve teknike për projektet fotovoltaike. Sipas GGF-së, financimi do të mbështesë një portofol projektesh me vlerë prej më shumë se 130 milionë eurosh në të tri vendet.
Vega Energy është kompani e inxhinierisë, prokurimit dhe ndërtimit (EPC) dhe është pjesë e Vega Group. Portofoli i projekteve të realizuara dhe atyre në zhvillim të grupit pritet të kalojë 400 MWp deri në fund të vitit 2026, sipas GGF-së, përcjell Energy Monitor.
Financimi nuk është i ndarë veçmas për Kosovën, por mbulon aktivitetin e kompanisë në të tria tregjet. Vega ka njoftuar më herët se synon të zhvillojë projekte me kapacitet të kombinuar prej rreth 400 MW në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
GGF e ka cilësuar marrëveshjen si financimin e parë të drejtpërdrejtë të një kompanie EPC në portofolin e tij dhe si hap për përshpejtimin e investimeve në energjinë diellore në Ballkanin Perëndimor.



