Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia A3 është rikthyer në operim pas përfundimit të remontit vjetor dhe është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik.
Sipas KEK-ut, njësia ka përfunduar procesin e startimit dhe aktualisht po operon në mënyrë të rregullt, me parametra teknikë brenda vlerave të planifikuara.
Rikthimi i A3 vjen pas përfundimit të punimeve të planifikuara të mirëmbajtjes, të cilat synonin ruajtjen e sigurisë dhe besueshmërisë së operimit të njësisë, përcjell Energy Monitor.
KEK ka falënderuar ekipet profesionale dhe teknike të angazhuara në realizimin e remontit, duke vlerësuar se puna e tyre ka mundësuar përfundimin me sukses të aktiviteteve dhe rikthimin e njësisë në operim.
Me rikthimin e A3, rritet disponueshmëria e kapaciteteve të Termocentralit “Kosova A”, në një periudhë kur prodhimi vendor mbetet një nga shtyllat kryesore të furnizimit me energji elektrike në vend.



