Të dhënat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial (UNIDO) tregojnë se industria përpunuese e Kosovës ka përmirësuar performancën e saj në vitet e fundit, ndërsa të dhënat rajonale tregojnë një rritje të fortë të efikasitetit të përdorimit të energjisë në sektorin agro-ushqimor.
Sipas edicionit më të fundit të International Yearbook of Industrial Statistics të UNIDO-s, vlera e shtuar për banor e industrisë përpunuese në Kosovë arriti në 788 dollarë në vitin 2024, nga 693 dollarë në vitin 2023. Industria përpunuese përbënte 14.8% të Bruto Produktit Vendor në vitin 2024, ndërsa industria në kuptimin më të gjerë zinte 20.18% të ekonomisë. Rritja vjetore e vlerës së shtuar të industrisë përpunuese ishte 5.6%.
Një tjetër tregues i rëndësishëm është intensiteti i emetimeve të industrisë përpunuese. UNIDO e mat atë përmes sasisë së dioksidit të karbonit të emetuar për njësi të vlerës së shtuar të industrisë. Për Kosovën, treguesi ishte 0.55 kilogramë CO₂ për dollar të vlerës së shtuar në të dhënat e vitit 2022. Në vitin paraprak, UNIDO raportonte 0.68 kilogramë për dollar, duke treguar një përmirësim të këtij treguesi, përcjell Energy Monitor.
Të dhënat rajonale japin një tjetër pamje interesante. Një analizë e performancës industriale të Ballkanit Perëndimor, e cila përdor të dhëna nga UNIDO INDSTAT dhe IEA Data Explorer, tregon se sektori agro-ushqimor i Kosovës kishte në vitin 2021 efikasitetin më të lartë të përdorimit të energjisë në mesin e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor.
Sipas këtij treguesi, sektori agro-ushqimor në Kosovë krijonte 11,909 dollarë vlerë të shtuar për çdo kiloton ekuivalent nafte (ktoe) të energjisë së konsumuar. Për krahasim, në vitin 2010 treguesi ishte 4,610 dollarë për ktoe. Kjo nënkupton një rritje prej rreth 158% gjatë periudhës, raporton Energy Monitor.
Kosova renditej kështu përpara Sllovenisë, Kroacisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës dhe Shqipërisë në këtë tregues specifik për vitin 2021.
Shqipëria, e cila është në qendër të një analize të publikuar së fundmi mbi efikasitetin energjetik të industrisë, kishte një vlerë prej 3,691 dollarësh për ktoe në të njëjtin vit.
UNIDO e përfshin energjinë dhe efikasitetin e prodhimit në një kuadër më të gjerë të transformimit industrial. Në Raportin e Zhvillimit Industrial 2026, organizata thekson se industrializimi i ardhshëm duhet të kombinojë rritjen e produktivitetit me dekarbonizimin e prodhimit, përmirësimin e efiçiencës së energjisë dhe përdorimin më të madh të teknologjive të reja.



