Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka diskutuar me KOSTT-in mundësitë për bashkëpunim në avancimin e masave të efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike.
Drejtoresha Menaxhuese e FKEE-së, Njomza Hoxha, është takuar me Kryeshefin Ekzekutiv të KOSTT-it, Trim Tërnavën, ku ka prezantuar mundësitë për përfshirjen e operatorit të sistemit të transmetimit dhe ndërmarrjeve të tjera publike në projektin më të madh të efiçiencës së energjisë në Kosovë, përcjell Energy Monitor.
Sipas FKEE-së, projekti do të financohet përmes kredisë së marrë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) nga Qeveria e Kosovës.
Përmes këtij projekti, ndërmarrjet publike do të mund të aplikojnë për financim të masave të efiçiencës së energjisë në ndërtesat e tyre.
Masat synojnë uljen e konsumit të energjisë dhe kostove të operimit, si dhe përmirësimin e performancës energjetike të ndërtesave publike.
FKEE dhe KOSTT kanë diskutuar mundësitë e bashkëpunimit në kuadër të këtij projekti, i cili pritet të zgjerojë zbatimin e masave të efiçiencës edhe në ndërmarrjet publike.



