Home / Lajme / Rajoni / Bosnja dhe Hercegovina i jep koncesion një centrali diellor 270 MW

Bosnja dhe Hercegovina i jep koncesion një centrali diellor 270 MW

Republika Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë ka dhënë koncesionin për ndërtimin e centralit diellor “Bileça 1”, me kapacitet prej 270 MW, i cili do të shoqërohet edhe me një sistem të madh baterish për ruajtjen e energjisë. Vlera e investimit është rreth 277.7 milionë marka konvertibile, ose afërsisht 142 milionë euro.

Marrëveshja e koncesionit u nënshkrua më 30 shtator nga ministri i Energjisë dhe Minierave i Republikës Srpska, Petar Djokiq, dhe drejtori i kompanisë Solar Agroland nga Banja Luka, Zoran Pejiq. Projekti do të ndërtohet në territorin e komunës së Bileçës dhe koncesioni është dhënë për një periudhë prej 50 vjetësh.

Sipas të dhënave të publikuara për projektin, centrali pritet të prodhojë rreth 397 GWh energji elektrike në vit. Bateritë do të kenë fuqi prej 120 MW dhe kapacitet ruajtës prej 360 MWh, duke e bërë projektin një kombinim të prodhimit diellor me magazinimin në shkallë të madhe, përcjell Energy monitor.

Projekti konsiderohet i rëndësishëm edhe për zhvillimin e kapaciteteve të magazinimit në Republika Srpska, ku sistemi i baterive në Bileça raportohet si projekti i parë i këtij lloji. Përveç prodhimit të energjisë gjatë orëve me diell, bateria mund të përdoret për zhvendosjen e energjisë në orët me kërkesë më të lartë dhe për rritjen e fleksibilitetit të sistemit.

Megjithatë, ndërtimi nuk mund të nisë menjëherë. Projekti duhet të kalojë fazën e planifikimit, sigurimit të të drejtave të ndërtimit dhe vlerësimit të ndikimit në mjedis. Ministri Djokiq ka thënë se këto procedura duhet të marrin parasysh edhe shqetësimet e banorëve lidhur me përdorimin e tokës dhe zonat e mbrojtjes së ujërave.

Disa banorë të Bileçës kanë kundërshtuar projektin për shkak të ndikimit të mundshëm në tokat që përdoren për kullotje dhe në aktivitetet bujqësore. Komuna, ndërkohë, ka dhënë mbështetje për projektin dhe ka nisur procedurat për përgatitjen e dokumentacionit hapësinor, ndërsa çështjet e përdorimit të tokës pritet të trajtohen gjatë fazave të ardhshme të planifikimit.

Kompania Solar Agroland është e lidhur me Pinetree Energy, një kompani e krijuar nga Pinetree me bazë në Zvicër.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com