Home / Lajme / Kosova / Sistemi jo transparent i KESCO-s rriti në nivel alarmant shkyçjet nga rrjeti elektrik – mbi 278 mijë raste në 21 muaj

Sistemi jo transparent i KESCO-s rriti në nivel alarmant shkyçjet nga rrjeti elektrik – mbi 278 mijë raste në 21 muaj

Sipas rregullit të KESCO-s, nëse një faturë nuk paguhet në tërësi, ose nëse nga fatura e fundit konsumatori ka mbetur borxh qoftë edhe 1 cent, kjo llogaritet si faturë e papaguar dhe mund të çojë deri te shkyçja nga rrjeti pa dijeninë e konsumatorit. Kjo dyshohet se ka ndikuar në numrin e lartë të shkyçjeve, me mbi 278 mijë raste vetëm për 21 muaj.

Megjithatë, për këtë rregull janë në dijeni pak konsumatorë të rrymës në Kosovë. Një detyrim minimal i mbetur nga fatura e fundit mund të jetë i mjaftueshëm që konsumatori të konsiderohet me borxh, ndërsa në rast të mosrespektimit të procedurave të pagesës dhe paralajmërimit, çështja mund të përfundojë me ndërprerjen e furnizimit.

Deri më tani nuk ka pasur ndonjë fushatë vetëdijësuese as nga Zyra e Rregullatorit të Energjis (ZRrE), e as nga KESCO. Kjo ka bërë që të rritet numri i shkyçjeve dhe bashkë me këtë edhe të hyrat për kompaninë nga kjo taksë. Për 21 muaj, KEDS ka shkyçur nga rrjeti elektrik gjithsej 278 mijë e 810 konsumatorë.

Këto të dhëna, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) i ka bërë të qasshme vetëm pasi Buletini Ekonomik i është drejtuar Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP) me Kërkesë për Qasje në Dokumente Publike.

Sipas ZRrE-së, gjatë vitit 2025 janë realizuar gjithsej 166,022 shkyçje nga rrjeti elektrik nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes – KEDS.

Por shkyçjet kanë vazhduar edhe gjatë vitit 2026. Sipas të dhënave të ofruara nga KEDS, të cilat ZRRE ia ka përcjellë Buletinit Ekonomik, gjatë periudhës janar deri më 25 shtator 2026 janë realizuar edhe 112,788 shkyçje nga rrjeti elektrik.

Kështu, në dy periudhat e raportuara – gjatë gjithë vitit 2025 dhe deri më 25 shtator 2026 – janë regjistruar gjithsej 278,810 shkyçje.

Nëse për secilën prej këtyre rasteve llogaritet vetëm tarifa prej 17.70 eurosh për shkyçje, atëherë të hyrat e arkëtuara nga KESCO arrijnë në 4,935,933 euro, ose afro 4.94 milionë euro.

Për vitin 2025, vetëm tarifa e shkyçjes për 166,022 rastet e raportuara arrin në 2,938,589.40 euro, ndërsa për 112,788 shkyçjet e regjistruara deri më 25 shtator 2026, e njëjta tarifë arrin në 1,997,343.60 euro. Këto janë vetëm llogaritje bazuar në tarifën prej 17.70 eurosh për një shkyçje dhe nuk nënkuptojnë shumën e arkëtuar realisht nga KESCO, pasi të dhënat e ZRRE-së tregojnë vetëm numrin e shkyçjeve.

Zyrtarë të KESCO-s që duan të mbeten anonim, kanë sqaruar për Buletinin Ekonomik se “në sistemin e faturimit të KESCO-s, analizat e borxheve dhe të pagesave të konsumatorëve realizohen përmes disa programeve të brendshme (ÇP, CRM dhe sisteme raportimi), të cilat evidentojnë çdo detyrim të papaguar në mënyrë automatike”.

Këto detyrime konsumatorët, janë të kushtëzuar t’i përmbushin, sepse mbesin pa energji elektrike. Prandaj, kushtimisht funksionon detyrimi i pagesës së taksës së shkyçjes së konsumatorëve.

Mirëpo, ka raste kur konsumatorët nuk janë të informuar që në qoftë se një faturë nuk paguhet në tërësi, atëherë këta konsumatorë vlerësohen borxhlinj. Më konkretisht, nëse konsumatori në faturën e pagesës mbetet borxh, bie fjala, 2 ose 3 euro të papaguara, sistemi i aplikuar në KESCO e regjistron atë si faturë të papaguar. Kështu, në faturën pasuese, konsumatori figuron me dy fatura të papaguara, edhe pse shuma e mbetur është e vogël (qoftë 1, 2 apo 3 euro).

Kjo situatë, sipas kësaj mënyre pagese nga KESCO (rregullave në fuqi të KESCO-s), e përmbush kriterin për shkyçje nga rrjeti dhe rrjedhimisht konsumatori ngarkohet me taksën e rikyçjes prej 17.70 euro. Deri vonë për shkyçjet nga rrjeti është aplikuar vetëm një tairfë prej 17.70 euro.

Nga 1 shtatori i këtij viti, konsumatorëve të energjisë elektrike në vend iu është shtuar edhe një tarifë tjetër, ajo për rikyçje në rrjet, po në vlerë prej 17.70 eurosh me TVSH. Kjo do të thotë se, në rast të shkyçjes dhe më pas rikyçjes në rrjetin elektrik, kostoja e këtyre dy shërbimeve për qytetarët arrin në 35.40 euro, pa përfshirë shumën e borxhit për energjinë e papaguar.

Ndërkaq, për 25 ditët e para të shtatorit 2026, kur ka hyrë në fuqi edhe tarifa e re e rikyçjes, ende nuk ka të dhëna të ndara në përgjigjen e ZRRE-së se sa shkyçje janë realizuar gjatë kësaj periudhe dhe sa prej tyre janë pasuar me rikyçje. Megjithatë, me tarifën e re, një rast i shkyçjes që pasohet me rikyçje i kushton konsumatorit 35.40 euro vetëm për këto dy shërbime, pa përfshirë borxhin e faturës mujore.

Në një përgjigje të mëhershme për Buletinin Ekonomik ZRrE pati thënë se këto dy tarifa “arsyetojnë koston e shërbimit për operatorin”, mirëpo, përkundër insistimit të mediumit, nuk kishte ofruar një analizë se si ka ardhur deri te ky konstatim. Një analizë të tillë ZRrE nuk e ka ofruar as pasi rasti kishte shkuar në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP).

Një përgjigje nuk kanë dhënë as nga KESCO. E gjithë baza ligjore për këto dy tarifa mbështetet në Rregullën për Shkyçjen dhe Rikyçjen e Konsumatorëve në Sektorin e Energjisë, e cila është miratuar për herë të parë në shkurt të vitit 2006 dhe që nga atëherë ka qenë në fuqi, përfshirë edhe tarifat për shkyçje dhe rikyçje.

Rregulla është plotësuar dhe ndryshuar në vitet 2009 dhe 2011, ndërsa ndryshimet e fundit janë bërë në mars të vitit 2017, si pasojë e ndryshimeve në legjislacionin primar të sektorit të energjisë.

ZRrE thekson se tarifat për shkyçje dhe rikyçje janë pjesë e kësaj rregulle dhe se ajo ka qenë edhe në konsultim publik, ku palët e interesuara kanë pasur mundësi të paraqesin komentet e tyre.

“Duhet theksuar se taksa për shkyçje dhe rikyçje është një instrument i njohur rregullator dhe e cila aplikohet te konsumatorët për shkak të mospagesës së faturave të energjisë elektrike, dhe si instrument rregullator aplikohet në shumë vende”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së. /Buletini Ekonomik

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com