KEDS është duke investuar rreth 281 mijë euro në modernizimin dhe përmirësimin e rrjetit të tensionit të ulët dhe të mesëm në Komunën e Rahovecit, përmes projekteve “CELINA 1”, “CELINA 4”, “CELINA 3” dhe “CELINA 3 – TS I RI”.
Investimi përfshin zëvendësimin e shtyllave ekzistuese me 228 shtylla të reja prej betoni, ndërtimin e rrjetit të ri ajror të tensionit të ulët dhe të mesëm, si dhe instalimin e dy transformatorëve 10(20)/0.4 kV, me kapacitet prej 100 kVA dhe 400 kVA.
Sipas KEDS-it, vlera e përgjithshme e investimit arrin në 281,144.57 euro, ndërsa deri më tani janë realizuar punime në vlerë prej rreth 207,408.18 euro, njofton Energy monitor.
Kjo do të thotë se rreth 74 për qind e vlerës së investimit është realizuar tashmë.
Punimet synojnë përmirësimin e infrastrukturës së shpërndarjes dhe rritjen e cilësisë së furnizimit me energji elektrike për konsumatorët në zonat e përfshira nga projektet.
Investimet në rrjetin e shpërndarjes janë gjithashtu të rëndësishme për forcimin e infrastrukturës energjetike në Kosovë, në një kohë kur sistemi po përballet me rritje të kërkesës dhe me nevojën për të integruar kapacitete të reja nga burimet e ripërtëritshme.



