KESCO nuk e ka përmbushur vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për ndarjen e furnizimit të konsumatorëve familjarë nga ai i konsumatorëve në tregun e hapur, ndonëse afati gjashtëmujor ka përfunduar më 22 tetor.
Vendimi i ZRrE-së, i marrë më 22 prill, kërkonte themelimin e një subjekti të veçantë juridik, ku do të transferoheshin kontratat e konsumatorëve në tregun konkurrues. Sipas rregullatorit, kjo ndarje është e nevojshme për të parandaluar shtrembërimin e konkurrencës dhe për të shmangur avantazhet e mundshme nga pozita në tregun e rregulluar.
Në përgjigjen dhënë para përfundimit të afatit, ZRrE kishte thënë se KESCO ishte në proces të përmbushjes së detyrimeve dhe se pas skadimit do të vlerësonte zbatimin e vendimit. Megjithatë, rregullatori nuk i është përgjigjur pyetjeve të mëvonshme të Buletinit Ekonomik për masat që mund të ndërmerren, ndërsa as KESCO nuk ka dhënë përgjigje lidhur me themelimin e kompanisë së re, përcjell Energy Monitor.

Në mungesë të saj, konsumatorët e KESCO-s në tregun e hapur pritet të kalojnë te Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila është caktuar Furnizues i Mundësisë së Fundit për periudhën 31 janar 2026 – 30 janar 2029.
Ndërkohë, KEK-u është ankuar në Autoritetin e Konkurrencës ndaj KESCO-s dhe KEDS-it, duke pretenduar se ato po e keqpërdorin pozitën dominuese duke ia kufizuar qasjen në të dhënat e nevojshme për konsumatorët në tregun e hapur.
Autoriteti ka konfirmuar se po e monitoron rastin, por nuk ka dhënë detaje për shkak të procedurës në vazhdim.



