Home / Lajme / Energjia konvencionale / KEK-u i raporton Qeverisë për rezultatet e vitit 2025 dhe investimet strategjike

KEK-u i raporton Qeverisë për rezultatet e vitit 2025 dhe investimet strategjike

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka prezantuar rezultatet operative dhe financiare për vitin 2025, si dhe progresin në realizimin e investimeve strategjike, gjatë Mbledhjes së Përgjithshme Vjetore të Aksionarit, të mbajtur më 27 tetor.

Në mbledhje u shqyrtuan Raporti Vjetor, raporti i auditorit të jashtëm për pasqyrat financiare dhe Raporti i Performancës së Menaxhmentit. Në takim morën pjesë përfaqësuesi i aksionarit, zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, drejtori i Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, Dëfrim Pllashniku, si dhe Bordi i Drejtorëve dhe menaxhmenti i lartë i KEK-ut.

Një nga zhvillimet kryesore të prezantuara ishte rritja e kapacitetit të njësisë B2 të Termocentralit Kosova B, pas përfundimit të projektit të modernizimit të turbinave dhe investimeve përcjellëse, përcjell Energy Monitor.

Sipas KEK-ut, kapaciteti bruto i njësisë është rritur nga rreth 270 megavatë (MW) para investimeve në rreth 310 MW aktualisht, ose për 40 MW, që përfaqëson një rritje prej 14.8%. Korporata tha se investimet kanë përmirësuar sigurinë, besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e operimit, si dhe performancën teknike të njësisë.

Një tjetër projekt strategjik është rehabilitimi dhe modernizimi i thellë i njësisë A3 të Termocentralit Kosova A. KEK-u bëri të ditur se gjatë vitit 2025 ka nisur procedurat për realizimin e këtij projekti, i cili është paraparë edhe në Strategjinë Kombëtare të Energjisë.

Investimi synon rritjen e kapacitetit prodhues të njësisë A3 nga rreth 130 MW në 215 MW, pra me 85 MW ose rreth 65%. Sipas korporatës, projekti synon gjithashtu përmirësimin e sigurisë dhe besueshmërisë së operimit, rritjen e efikasitetit dhe reduktimin e ndikimit mjedisor.

KEK-u nuk dha në njoftim një afat të përfundimit të këtij projekti.

Furnizimi me energji elektrike dhe termike

Në raportimin për vitin 2025, KEK-u vlerësoi se, pavarësisht sfidave teknike dhe operative, ka vazhduar përmbushjen e rolit të tij në sektorin energjetik të Kosovës.

Korporata ka furnizuar KESCO-n me energji elektrike për nevojat e konsumatorëve me shërbim universal, ndërsa përmes KOSTT-it dhe KEDS-it ka mbuluar nevojat për energji që lidhen me humbjet në rrjetet e transmetimit dhe shpërndarjes, raporton Energy Monitor.

Gjatë të njëjtit vit, KEK-u ka siguruar edhe furnizimin me energji termike për ndërmarrjen Termokos, duke kontribuar në ngrohjen e kryeqytetit gjatë sezonit të ngrohjes.

Ndërkohë, Divizioni i Prodhimit të Qymyrit ka vazhduar aktivitetet e nxjerrjes së qymyrit dhe largimit të djerrinës, për të mbështetur operimin e dy termocentraleve, Kosova A dhe Kosova B.

Modernizimi dhe siguria energjetike

KEK-u bëri të ditur se synon të vazhdojë investimet kapitale për rehabilitimin dhe modernizimin e njësive ekzistuese, përmirësimin e standardeve mjedisore dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja nga burimet e ripërtëritshme të energjisë.

Sipas korporatës, investimet në njësitë ekzistuese kanë për qëllim përmirësimin e performancës teknike dhe forcimin e kapaciteteve vendore për prodhimin e energjisë elektrike.

Në përmbyllje të mbledhjes, Bordi i Drejtorëve dhe menaxhmenti i KEK-ut ritheksuan angazhimin për avancimin e performancës së korporatës, realizimin e projekteve strategjike dhe forcimin afatgjatë të sigurisë energjetike të Kosovës.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com