Home / Lajme / Kosova / Delegacioni gjerman qëndroi pesë ditë në Kosovë, energjia dhe klima ndër prioritetet e bashkëpunimit

Delegacioni gjerman qëndroi pesë ditë në Kosovë, energjia dhe klima ndër prioritetet e bashkëpunimit

Një delegacion gjerman qëndroi në Kosovë nga 26 deri më 30 tetor, në kuadër të konsultimeve zyrtare për bashkëpunimin në zhvillim ndërmjet dy vendeve. Energjia dhe klima, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe qeverisja e mirë ishin tri fushat kryesore të këtij bashkëpunimi.

Delegacioni u udhëhoq nga Dr. Micong Klimes, përfaqësuese e Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ). Në të morën pjesë edhe Daniel Alker, shef i Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën Gjermane, Markus Delfs, drejtor i GIZ-it në Kosovë, dhe Moritz Remé, udhëheqës i zyrës së KfW-së, së bashku me përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve.

Gjatë vizitës, përfaqësuesit gjermanë u takuan me institucionet partnere të Kosovës për të shqyrtuar projektet në zbatim, prioritetet e ardhshme dhe zotimet e reja në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, përcjell Energy Monitor.

Në sektorin e energjisë, një nga temat kryesore ishte mbështetja për tranzicionin energjetik, sigurinë e furnizimit dhe zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme. Në takimin me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u diskutua për zgjerimin e energjisë së ripërtëritshme, modernizimin e infrastrukturës energjetike dhe zhvillimin e zgjidhjeve të qëndrueshme për ngrohje.

Mbështetja gjermane përfshin edhe forcimin e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) dhe zgjerimin e investimeve në efiçiencë të energjisë dhe burime të ripërtëritshme. Gjatë vizitës, delegacioni pa nga afër investimet në ndërtesat e banimit social në Prishtinë, ku janë zbatuar masa për përmirësimin e performancës energjetike.

Në fushën e mjedisit, diskutimet u përqendruan te investimet në menaxhimin e mbeturinave, përgatitja e bizneseve për Mekanizmin e Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM) dhe përafrimi me kërkesat evropiane për monitorimin dhe raportimin e emetimeve. Një nga projektet e përmendura ishte ndërtimi i një deponie moderne për rajonin e Prishtinës.

Gjatë vizitës u prezantuan edhe rezultatet e disa programeve të mbështetura nga Gjermania. Përmes Fondit Rajonal për Sfidat janë ndarë 2.1 milionë euro për pesë projekte të aftësimit profesional në fusha si teknologjia informative, siguria kibernetike dhe përpunimi i ushqimit.

Në fushën e punësimit dhe ndërmarrësisë, 99 persona janë trajnuar në agrobiznes dhe energji diellore, ndërsa pesë prej tyre kanë përfituar grante për zhvillimin e ideve të tyre të biznesit. Po ashtu, pesë komuna në rajonin e Dukagjinit janë mbështetur në zhvillimin e një sistemi të integruar për menaxhimin e mbeturinave.

Vizita përkoi edhe me Forumin e Tretë Ekonomik Kosovaro-Gjerman, ku Klimes mori pjesë në një diskutim për potencialin e diasporës kosovare në Gjermani për të nxitur investimet dhe për të forcuar lidhjet ekonomike ndërmjet dy vendeve.

Në një njoftim të përbashkët, Ambasada Gjermane dhe GIZ-i vlerësuan se vizita riafirmoi përkushtimin e Gjermanisë për vazhdimin e partneritetit me Kosovën, me synim përmirësimin e kushteve të jetesës dhe mbështetjen e rrugës së vendit drejt Bashkimit Evropian.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com