Home / Lajme / Mjedisi / Njëri nga dy sistemet e baterive të MCC-së merr pëlqimin mjedisor

Njëri nga dy sistemet e baterive të MCC-së merr pëlqimin mjedisor

Sistemi i ruajtjes së energjisë me bateri në Sojevë të Ferizajt ka marrë pëlqimin mjedisor, duke shënuar një tjetër hap drejt realizimit të investimit të financuar përmes Kompaktit të Kosovës, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Qeveria e Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur Millennium Challenge Account – Kosova (MCA-Kosovo). Sistemi në Sojevë do të ketë fuqi prej 45 megavatësh (MW) dhe kapacitet ruajtës prej 90 megavat-orësh (MWh), ndërsa pas përfundimit do të menaxhohet dhe operohet nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).

Pëlqimi mjedisor lidhet me njërin nga dy sistemet e baterive që përfshihen në projektin më të gjerë të ruajtjes së energjisë. Në total, programi parasheh instalimin e sistemeve me fuqi të kombinuar prej 170 MW dhe kapacitet ruajtës prej 340 MWh, përcjell Energy Monitor.

Sistemi i parë, në Sojevë të Ferizajt, është projektuar me fuqi prej 45 MW dhe kapacitet prej 90 MWh. Ai do të ofrojë shërbime të rezervës automatike për rikthimin e frekuencës (aFRR), të cilat ndihmojnë në korrigjimin e shpejtë të devijimeve ndërmjet prodhimit dhe konsumit të energjisë elektrike dhe në ruajtjen e stabilitetit të rrjetit. Ky sistem do të jetë në pronësi dhe operim të KOSTT-it.

Sistemi i dytë, me fuqi prej 125 MW dhe kapacitet ruajtës prej 250 MWh, është planifikuar në Istog dhe do të menaxhohet nga Korporata për Ruajtjen e Energjisë (ESCorp). Ai është pjesë e aktivitetit për ruajtje shumëfunksionale të energjisë (MFES), me mundësi për të ofruar shërbime të balancimit, rezerva ndihmëse dhe arbitrazh të energjisë, përmes ruajtjes së saj kur ka tepricë dhe përdorimit ose shitjes kur kërkesa dhe çmimet janë më të larta.

Dallimi ndërmjet dy sistemeve lidhet jo vetëm me madhësinë, por edhe me funksionin dhe operatorin që do t’i menaxhojë. Bateria në Ferizaj është e orientuar kryesisht drejt nevojave të KOSTT-it për rezervën automatike të frekuencës, ndërsa sistemi në Istog do të ketë rol më të gjerë në funksionimin e tregut dhe balancimin e sistemit elektroenergjetik, njofton Energy Monitor.

Marrja e pëlqimit mjedisor në Ferizaj vjen pas dëgjimit publik të mbajtur më 21 shtator 2026, ku u prezantua raporti i vlerësimit të ndikimit në mjedis për sistemin prej 45 MW/90 MWh. Procesi ishte organizuar nga KOSTT në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për mjedisin dhe Komunën e Ferizajt.

Për lokacionin në Sojevë, KOSTT-i kishte siguruar më herët pronësinë e një parcele prej 2.34 hektarësh. Bartja e pronësisë nga Komuna e Ferizajt te KOSTT-i ishte formalizuar përmes një marrëveshjeje të nënshkruar nga përfaqësuesit e institucioneve përkatëse, duke siguruar tokën për ndërtimin e sistemit të baterive.

Ndërkohë, pjesa prej 250 MWh në Istog është ajo që do të menaxhohet nga ESCorp, ndërmarrja e themeluar për menaxhimin afatgjatë të sistemeve të ruajtjes së energjisë. ESCorp është regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës në tetor të këtij viti, si pjesë e përgatitjeve institucionale për funksionalizimin e këtij komponenti të investimit.

MCA-Kosovo ka bërë të ditur se për projektimin dhe ndërtimin e sistemeve të baterive, përfshirë infrastrukturën e lidhjes me rrjetin, ka pranuar dy oferta në kuadër të procedurës së prokurimit. Kontrata mbulon të dy lokacionet, me kapacitet të përgjithshëm prej 340 MWh. Sipas planifikimit të publikuar nga MCA-Kosovo, fillimi i ndërtimit parashihet gjatë vitit 2027.

Investimi në sistemet e baterive është pjesë e Kompaktit të Kosovës, me vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh. Nga kjo shumë, 202 milionë dollarë janë kontribut i Shteteve të Bashkuara përmes Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), ndërsa 34.7 milionë dollarë janë kontribut i Qeverisë së Kosovës.

Përveç rritjes së rezervave dhe stabilitetit të rrjetit, sistemet e ruajtjes pritet të ndihmojnë në integrimin e kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme, duke e bërë më të lehtë menaxhimin e ndryshimeve të prodhimit nga era dhe dielli.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com