Home / Lajme / Kosova / Haxhimusa: Importi i energjisë mund të arrijë në 250 milionë euro edhe këtë vit

Haxhimusa: Importi i energjisë mund të arrijë në 250 milionë euro edhe këtë vit

Kosova pritet të shpenzojë rreth 250 milionë euro për importin e energjisë elektrike edhe gjatë vitit 2026, një shumë e ngjashme me atë të vitit të kaluar. Sipas ekspertit të energjisë Adhurim Haxhimusa, këto mjete do të mund të përdoreshin për zhvillimin e kapaciteteve të reja prodhuese brenda vendit, nëse do të kishte politika më aktive dhe vullnet institucional për investime në sektor.

Duke folur në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, Haxhimusa tha se importet e dy viteve të fundit pritet të arrijnë në rreth 500 milionë euro.

Ai vlerësoi se zhvillimi i sektorit kërkon më shumë kapacitete institucionale dhe njerëzore, si dhe bashkëpunim më të mirë ndërmjet institucioneve përgjegjëse, përfshirë Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), Operatorin e Sistemit të Transmisionit (KOSTT), KEDS-in dhe Ministrinë e Ekonomisë, përcjell Energy Monitor.

Sipas tij, numri i punonjësve që merren me planifikimin dhe zhvillimin e sektorit është i pamjaftueshëm, ndërsa mungojnë edhe mekanizmat ligjorë dhe administrativë që do të mundësonin avancimin më të shpejtë të projekteve energjetike.

Haxhimusa ka kritikuar edhe subvencionimin e pompave termike nga Qeveria, duke vlerësuar se kjo masë nuk ishte planifikuar siç duhet. Sipas tij, subvencionimi vetëm ka orientuar më shumë konsumatorë drejt përdorimit të energjisë elektrike për ngrohje, pa trajtuar në mënyrë të mjaftueshme ndikimin në kërkesën e përgjithshme për energji.

Ndërkohë, të dhënat e publikuara së fundmi tregojnë se importi i energjisë elektrike vazhdon të përbëjë një barrë të konsiderueshme financiare. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, importi për periudhën janar-tetor 2026 ka arritur në mbi 205 milionë euro.

Nga viti 2021 deri në shtator të vitit 2026, Kosova ka paguar gjithsej 1.03 miliard euro për energjinë elektrike të importuar.

Ndërsa, të dhënat afatgjata tregojnë rritjen e ndjeshme të varësisë nga importi: në vitin 2025 Kosova importoi 4,177.5 GWh energji elektrike, më shumë se tetë herë sesa në vitin 2005.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com