Home / Lajme / Kosova / Fillon punën task-forca për dimër: KOSTT rrit kapacitetet ndërkufitare, KEK-u synon operimin me katër blloqe

Fillon punën task-forca për dimër: KOSTT rrit kapacitetet ndërkufitare, KEK-u synon operimin me katër blloqe

Task-Forca Ndërinstitucionale për përgatitjen e sezonit dimëror 2026/2027 ka mbajtur takimin e parë, ku janë shqyrtuar kapacitetet e prodhimit, kërkesa e pritshme për energji elektrike dhe mundësitë e furnizimit gjatë muajve të dimrit.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, KOSTT ka arritur të rrisë kapacitetet e transmetimit ndërkufitar me Shqipërinë për 150 MW, ndërsa me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi për nga 100 MW. Gjithashtu, operatori ka nisur koordinimin me KEDS-in për identifikimin dhe trajtimin e pikave të ngushta në rrjet gjatë periudhave me ngarkesë të lartë.

KEDS ka bërë të ditur se ka siguruar materialet për mirëmbajtjen dhe intervenimet në rrjet, si dhe ka përfunduar riparimet në nënstacionet përkatëse. Kompania ka deklaruar se është e përgatitur për menaxhimin e ngarkesës gjatë periudhave me konsum të lartë, përcjell Energy Monitor.

Ndërkohë, KESCO është duke ndërmarrë veprime për sigurimin e kapaciteteve dhe sasive të nevojshme të energjisë elektrike, me synimin e përmirësimit të sigurisë së furnizimit gjatë muajit dhjetor.

Sa i përket prodhimit vendor, KEK-u ka deklaruar se synon të operojë me të gjitha kapacitetet aktualisht në dispozicion: tri blloqet e Termocentralit Kosova A dhe bllokun B2 të Kosova B.

Megjithatë, rikthimi i bllokut B1 në operim mbetet i pasigurt për afatin e paraparë. Në këtë njësi, që nga prilli po zhvillohen punimet për instalimin e elektrofiltrave dhe sistemit DeNOx, të financuara dhe kontraktuara nga Bashkimi Evropian. Afati kontraktual për përfundimin e punimeve është 25 nëntori, por kontraktori ka paralajmëruar vonesa.

Për këtë arsye, Task-Forca ka vendosur të mbajë një takim tjetër gjatë kësaj jave, ku janë ftuar edhe përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, për të marrë informata më të hollësishme mbi ecurinë e projektit.

Task-Forca, ku bëjnë pjesë Ministria e Ekonomisë, Ministria e Financave, KEK-u, ZRRE-ja, KEDS-i, KESCO dhe KOSTT-i, pritet të vazhdojë koordinimin gjatë gjithë sezonit dimëror për identifikimin e rreziqeve dhe vlerësimin e gjendjes së furnizimit me energji elektrike.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com