Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka prezantuar në Komisionin për Ekonomi dy projektligje që sjellin ndryshime në fushën e efiçiencës së energjisë dhe rregullimit të tregut të energjisë elektrike, duke veçuar objektivat për kursimin e energjisë, mbrojtjen e konsumatorëve dhe lehtësimin e procedurave për instalimet e vogla solare dhe sistemet e ruajtjes së energjisë.
Projektligji për Efiçiencën e Energjisë parasheh kursime vjetore prej 0.8 për qind të konsumit mesatar final të energjisë gjatë tri viteve paraprake, duke filluar nga viti i parë i plotë kalendarik pas hyrjes në fuqi të ligjit. Objektivat do të përcaktohen përmes Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë dhe dokumenteve të tjera strategjike të sektorit, përcjell Energy Monitor.
Një prej masave konkrete është renovimi vjetor i së paku 3 për qind të sipërfaqes së përgjithshme të shfrytëzueshme të ndërtesave publike që ngrohen ose ftohen, kanë mbi 250 metra katrorë dhe janë në pronësi të institucioneve publike. Projektligji parasheh gjithashtu përfshirjen e kritereve të performancës së lartë energjetike në prokurimin publik.
Rizvanolli ka veçuar edhe përfshirjen e varfërisë energjetike në politikat dhe programet mbështetëse, me fokus më të madh te konsumatorët e cenueshëm. Ndryshime parashihen edhe në etiketimin energjetik të pajisjeve, të cilat tregtarët do të obligohen t’i shoqërojnë me etiketa në gjuhët zyrtare të Kosovës.
Projektligji krijon gjithashtu bazën ligjore për ekodizajnin dhe përcaktimin e kërkesave minimale të performancës energjetike për pajisjet që vendosen në treg. Sipas ministres, kjo do të mundësojë jo vetëm informimin dhe subvencionimin e blerjes së pajisjeve efiçiente, por edhe vendosjen e standardeve për produktet që mund të shiten në treg.
Ndërkaq, Projektligji për Rregullatorin e Energjisë parasheh zgjerimin e kompetencave të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), veçanërisht në mbrojtjen e konsumatorëve dhe mbikëqyrjen e tregut.
Sipas Rizvanollit, rregullatori do të ketë përgjegjësi më të detajuara për monitorimin e cilësisë së furnizimit, ndërprerjeve të energjisë elektrike, faturimit dhe respektimit të të drejtave të konsumatorëve. Ajo ka theksuar se këto janë ndër fushat për të cilat qytetarët paraqesin më së shumti ankesa.
Një tjetër ndryshim lidhet me mbikëqyrjen e tregut dhe parandalimin e manipulimit të tij. Projektligji parasheh rregulla për parandalimin e manipulimit të tregut dhe tregtimit bazuar në informata të brendshme, si dhe regjistrimin dhe mbikëqyrjen e pjesëmarrësve në tregun e energjisë.
Rizvanolli ka vlerësuar se këto dispozita janë të rëndësishme edhe për Kosovën, duke përmendur rastet e dyshimta të identifikuara gjatë viteve të fundit në sektorin e energjisë.
Projektligji parasheh gjithashtu lehtësimin e procedurave për instalimet e vogla të vetëprodhimit dhe sistemet e ruajtjes së energjisë. Sipas ministres, instalimet e vetëprodhimit që nuk janë të kyçura në rrjet dhe sistemet e baterive me kapacitet deri në 1 MW do të përjashtohen nga disa prej kërkesave aktuale për licencim dhe autorizim, njofton Energy Monitor.
Kjo do të lehtësonte procedurat për qytetarët dhe bizneset që dëshirojnë të instalojnë panele fotovoltaike për konsum vetanak, si dhe sisteme baterish për ruajtjen e energjisë.
Në anën tjetër, projektligji parasheh kontrolle më të hollësishme për aplikuesit për licenca dhe leje, në rastet kur ekzistojnë dyshime të bazuara për rrezik ndaj sigurisë kombëtare, sigurisë së furnizimit ose funksionimit të tregut të energjisë.
Në këto raste, ZRRE-ja do të mund të kërkojë dokumentacion shtesë lidhur me pronarët përfitues, strukturën e pronësisë, personat që ushtrojnë kontroll mbi ndërmarrjet dhe burimet e financimit të tyre.
Të dy projektligjet synojnë përafrimin e legjislacionit të Kosovës me zhvillimet rregullative të Bashkimit Evropian dhe forcimin e mekanizmave për menaxhimin e sektorit të energjisë, nga konsumi dhe prodhimi për vetëkonsum deri te mbikëqyrja e tregut dhe mbrojtja e konsumatorëve.



