Kompania Electro Plus nga Zubin Potoku prodhon transformatorë të fuqisë nën brendin Enerkos Trafo, me kapacitete prej 50 deri në 5,000 kVA, për rrjetet e shpërndarjes së energjisë elektrike, objektet industriale dhe ndërtesat komerciale.
Kompania është vizituar nga drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), Besnik Vasolli, dhe udhëheqësja e operacioneve, Elena Elshani, të cilët janë njohur nga afër me procesin e prodhimit dhe testimit të transformatorëve, si dhe planet për zhvillimin e mëtejshëm të biznesit.
Gjatë vizitës është diskutuar edhe mundësia e anëtarësimit të Electro Plus në OEGJK dhe mbështetja që kjo organizatë mund t’u ofrojë bizneseve përmes lidhjes me tregje dhe partnerë të rinj, si dhe përfaqësimit të interesave të tyre pranë institucioneve publike, përcjell Energy Monitor.
Vasolli dhe Elshani kanë prezantuar gjithashtu programet Senior Expert Service, përmes të cilit bizneset mund të angazhojnë specialistë me përvojë, dhe Kosovo Generation Unlimited, që mundëson ofrimin e praktikave me pagesë për të rinjtë.
Vizita është pjesë e angazhimit të OEGJK-së për të mbështetur zhvillimin e bizneseve vendore, zgjerimin e tregjeve dhe krijimin e lidhjeve me partnerë potencialë.
Prodhimi vendor i transformatorëve ka rëndësi edhe për sektorin energjetik, pasi këto pajisje janë thelbësore për rrjetet e shpërndarjes, lidhjen e kapaciteteve të reja prodhuese dhe furnizimin e konsumatorëve industrialë e komercialë.



