Home / Lajme / Kosova / Dëgjim publik për projektin e baterive prej 125 MW në Istog, publikohet raporti i VNM-së

Dëgjim publik për projektin e baterive prej 125 MW në Istog, publikohet raporti i VNM-së

Korporata e Ruajtjes së Energjisë (KRE) do të organizojë më 30 dhjetor dëgjim publik për projektin e ndërtimit të një sistemi të ruajtjes së energjisë me bateri, me fuqi prej 125 megavatësh (MW) dhe kapacitet ruajtës prej 250 megavat-orësh (MWh), në Bellopojë të Istogut.

Dëgjimi publik do të mbahet në orën 10:00 në sallën e Kuvendit Komunal të Istogut, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komunën e Istogut. Pjesëmarrja do të mundësohet edhe përmes platformës Zoom, përcjell Energy monitor..

Takimi organizohet në kuadër të procedurës për shqyrtimin e Raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), i cili është publikuar nga Ministria e Mjedisit më 18 nëntor. Qytetarët dhe palët e interesuara do të kenë mundësi të njihen me përmbajtjen e raportit dhe të paraqesin komentet apo shqetësimet e tyre lidhur me ndikimet e mundshme mjedisore të projektit.

Komentet mund të dërgohen edhe në adresën elektronike vnm.komente@rks-gov.net.

Sistemi në Bellopojë është njëri nga dy komponentët e projektit të madh të ruajtjes së energjisë me bateri që po zhvillohet në kuadër të Programit Kompakt të Kosovës, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Qeveria e Kosovës.

Projekti parasheh instalimin e dy sistemeve me fuqi të kombinuar prej 170 MW dhe kapacitet ruajtës prej 340 MWh. Përveç sistemit në Istog, një tjetër sistem me fuqi prej 45 MW dhe kapacitet prej 90 MWh është planifikuar në Sojevë të Ferizajt, ku menaxhimin dhe operimin do ta ketë KOSTT-i.

Sistemi në Istog do të menaxhohet nga KRE, ndërmarrje publike e themeluar për administrimin dhe operimin afatgjatë të këtij investimi, njofton Energy Monitor.

Bateritë do të mundësojnë ruajtjen e energjisë elektrike dhe kthimin e saj në rrjet sipas nevojave të sistemit. Kjo mund të ndihmojë në balancimin e prodhimit dhe konsumit, ofrimin e shërbimeve ndihmëse për rrjetin dhe integrimin e më shumë kapaciteteve nga burimet e ripërtëritshme, veçanërisht nga energjia diellore dhe ajo e erës.

Investimi në të dy sistemet është pjesë e Kompaktit të Kosovës, me vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, prej të cilave 202 milionë dollarë janë grant nga MCC-ja dhe 34.7 milionë dollarë kontribut i Qeverisë së Kosovës.

Procedurat për projektimin dhe ndërtimin e sistemeve janë ende në zhvillim. Sipas planifikimit të publikuar nga MCA-Kosova, ndërtimi pritet të nisë gjatë vitit 2027, ndërsa vënia në funksion e kapaciteteve të baterive është shtyrë për vitin 2029.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com