Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar vendimin për shpalljen e masave emergjente në sektorin e energjisë, duke pretenduar se ato nuk garantojnë përmirësim të furnizimit me energji elektrike, por krijojnë mundësi për të justifikuar ndërprerjet dhe për të shmangur përgjegjësinë për dëmet ndaj konsumatorëve.
Në një reagim në Facebook, pas miratimit të vendimit në Kuvendin e Kosovës, Bajrami tha se vendimi nënkupton se gjatë periudhës 60-ditore energjia elektrike mund të ndërpritet në çdo kohë dhe në çdo vend.
Sipas saj, masat nuk e zgjidhin problemin e furnizimit, por mund ta mbrojnë KEDS-in dhe KESCO-n nga paditë eventuale për dëmet e shkaktuara nga ndërprerjet e energjisë.
Bajrami vuri në pikëpyetje edhe ndikimin e obligimit për shfrytëzimin e kapaciteteve të Ibër-Lepencit për prodhimin e energjisë elektrike për Shërbimin Universal. Ajo tha se kapaciteti i instaluar i këtij sistemi është rreth 30 megavatë, duke e konsideruar të pamjaftueshëm për të ndryshuar ndjeshëm situatën e furnizimit.
Deputetja e LDK-së pretendoi gjithashtu se vendimi krijon mundësi për blerjen e energjisë elektrike dhe kontraktimin e kompanive për investime dhe remontet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), pa ndjekur procedurat e zakonshme të prokurimit publik.
Në reagimin e saj, Bajrami rikujtoi se masat emergjente për furnizimin me energji ishin shpallur edhe më 21 dhjetor 2021, duke kritikuar faktin se, sipas saj, gati pesë vjet më vonë sektori vazhdon të menaxhohet përmes masave të tilla.
Ajo renditi si probleme mungesën e kontratave afatgjata për blerjen e energjisë elektrike, dështimet në realizimin e remontit të njësive prodhuese, kostot e larta të kontratave dhe moszbatimin e Strategjisë së Energjisë.
Sipas Bajramit, gjatë kësaj periudhe nuk janë ndërtuar kapacitete të reja gjeneruese, ndërsa zgjidhja afatgjatë mbetet rritja e prodhimit vendor përmes investimeve të reja.
“Ka vetëm një zgjidhje: kapacitete të reja gjeneruese. Jemi vonë, por nëse nuk fillojmë, kriza vetëm do të thellohet”, shkroi ajo, duke paralajmëruar edhe për vështirësitë që mund të përballen konsumatorët dhe buxheti i Kosovës për shkak të kostove të energjisë.
Qeveria i ka arsyetuar masat emergjente 60-ditore me pasigurinë e furnizimit, çmimet e larta të importit dhe problemet me disponueshmërinë e njësive të termocentralit “Kosova B”. Masat përfshijnë shfrytëzimin e hidrocentralit të Ujmanit, kursimin e energjisë në institucionet publike dhe krijimin e një komiteti teknik për monitorimin e situatës.



