Home / Highlights / Përmbyllet ankandi i parë i erës, AKUO shpallet zyrtarisht fituese me projektin prej 98 megavatësh

Përmbyllet ankandi i parë i erës, AKUO shpallet zyrtarisht fituese me projektin prej 98 megavatësh

Ministria e Ekonomisë ka shpallur zyrtarisht kompaninë franceze AKUO Energy SAS fituese të ankandit të parë të erës në Kosovë, me ofertë prej 75.94 euro/MWh. Projekti parasheh investim prej rreth 150 milionë eurosh.

Ministria e Ekonomisë ka përmbyllur ankandin e parë të energjisë nga era në Kosovë, duke shpallur zyrtarisht fituese kompaninë franceze AKUO Energy SAS, e cila ka ofruar të ndërtojë kapacitete prej 98 megavatësh (MW) me çmim prej 75.94 eurosh për megavatorë (MWh).

Çmimi fitues është 5.31 për qind më i ulët se çmimi tavan prej 80.20 euro/MWh, i përcaktuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Sipas Ministrisë, në fazën e parë të ankandit ishin kualifikuar tri kompani dhe konsorciume nga Franca, Turqia, Gjermania dhe Kosova. Pas vlerësimit të ofertave teknike dhe financiare, si dhe përfundimit të afatit për ankesa pa u paraqitur asnjë e tillë, AKUO u konfirmua si fituese me ofertën më të ulët, përcjell Energy Monitor.

Realizimi i projektit pritet të sjellë investim prej rreth 150 milionë eurosh dhe të rrisë kapacitetet vendore të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme.

Ministria pret që projekti të kontribuojë në uljen e varësisë nga importi i energjisë elektrike, rritjen e sigurisë së furnizimit dhe krijimin e vendeve të reja të punës, njofton Energy Monitor.

Pas përmbylljes së procedurave të ankandit, hapi i radhës është nënshkrimi i marrëveshjeve të projektit, të cilat do të përcaktojnë të drejtat dhe obligimet e palëve për realizimin e investimit.

Ankandi i parë i erës është zhvilluar me mbështetjen e Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore, dhe të Qeverisë së Luksemburgut përmes Agjencisë së Bashkëpunimit për Zhvillim (LuxDev).

Me përmbylljen e këtij procesi, Kosova shënon një tjetër hap në zbatimin e Strategjisë së Energjisë 2022–2031, pas ankandit të parë solar prej 100 MW.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com