Home / Lajme / Rajoni / Maqedonia e Veriut rrit kufirin për vetë-prodhuesit e energjisë dhe përshpejton procedurat e lejeve

Maqedonia e Veriut rrit kufirin për vetë-prodhuesit e energjisë dhe përshpejton procedurat e lejeve

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar ndryshime ligjore që synojnë të lehtësojnë dhe përshpejtojnë procesin e instalimit dhe lidhjes në rrjet të paneleve diellore nga qytetarët dhe bizneset. Sipas propozimit të ri, kufiri i kapacitetit për vetë-prodhuesit rritet nga 6 në 10 kilovat për familjet, ndërsa për subjektet juridike lejohet deri në 70 kilovat.

Për herë të parë, do të vendoset një afat ligjor për shqyrtimin e kërkesave: institucionet përgjegjëse do të kenë 30 ditë kohë për të dhënë lejen e ndërtimit dhe për të realizuar lidhjen në rrjet për sistemet me kapacitet deri në 100 kilovat. Ky afat do të vlejë edhe për komunitetet e energjisë, të përbëra nga banorë apo biznese që prodhojnë dhe konsumojnë bashkërisht energji të pastër.

Në rast se lidhja në rrjet në vendin e kërkuar nuk është e mundur, operatori do të jetë i detyruar që brenda 15 ditësh të njoftojë aplikuesin dhe të propozojë një zgjidhje alternative.

Sipas Komisionit Rregullator për Energji, më shumë se gjysma e kapaciteteve të instaluara në vend tashmë vijnë nga burime të ripërtëritshme. Vetëm gjatë dy viteve të fundit janë shtuar mbi 600 megavat kapacitete të reja nga energjia diellore dhe ajo me erë.

Këto ndryshime përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të qasjes në energji të pastër dhe krijimit të një mjedisi më të favorshëm për investime në sektorin e energjisë së ripërtëritshme në Maqedoninë e Veriut.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com