Sezoni i ngrohjes në Shkup, sipas Rregullores për Furnizim me Energji Termike dhe Sistemit Tarifor të Shitjes së Energjisë Termike, parashikohet të fillojë më 15 tetor 2025 dhe të zgjasë deri më 15 prill 2026.
Megjithatë, nëse temperatura mesatare ditore bie në ose nën 12 gradë Celsius, ngrohja mund të nisë më herët, që nga 1 tetori, dhe të përfundojë më së voni më 30 prill, kujton Komisioni Rregullator për Energjetikë, Shërbime të Ujit dhe Shërbime të Mbeturinave Komunale (KRRE).
KRRE bën të ditur se NOMAGAS, Operatori i Sistemit të Transmetimit të Gazit, ka paralajmëruar ndërprerje të furnizimit me gaz natyror nga 13 deri më 17 tetor. Shkaku janë punimet e mirëmbajtjes në sistemet rajonale të transmetimit dhe në gazsjellësin “Rrjedha turke”.
Sipas KRRE-së, siguria e furnizimit mbetet prioritet kryesor, ndërsa legjislacioni i mundëson NOMAGAS-it që në raste të tilla të bëjë mbushjen paraprake të tubacioneve dhe të shpërndajë gazin në mënyrë të kontrolluar gjatë ditëve kritike për konsumatorët që ngrohen me energji termike.
Rregullorja detyron furnizuesit që gjatë orarit 06:00–22:00 të sigurojnë temperaturë prej 20 ±1 gradë Celsius në hapësirat e ngrohjes.
Për këtë arsye, KRRE u bën thirrje banorëve dhe bashkësive të banesave që të kontrollojnë instalimet e brendshme, si dhe të shlyejnë detyrimet për energjinë elektrike në nënstacionet termike, në mënyrë që sezoni i ngrohjes të nisë pa pengesa.