Rreth 200 familje në nevojë në Kosovë do të përfitojnë nga masa për izolimin e shtëpive dhe nisma të tjera për efiçiencë energjetike, falë projektit “Rruga gjithëpërfshirëse dhe e drejtë drejt vitit 2030: E ardhmja e energjisë së gjelbër”.
Projekti zbatohet në kuadër të marrëveshjes mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Danimarkës për bashkëpunim në sektorin e energjisë, ndërsa do të implementohet nga UNDP në partneritet me Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe Ministrinë e Ekonomisë.
Përfituesit janë zgjedhur nga lista e asistencës sociale të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, duke u bazuar në kritere të përcaktuara nga ekspertët e institucioneve përkatëse. Përparësi u është dhënë familjeve ku kryefamiljari është prind vetushqyes dhe atyre që kanë persona me aftësi të kufizuar. Brenda këtyre kategorive, përzgjedhja është bërë duke marrë parasysh numrin e pensionistëve, praninë e më shumë se një personi me aftësi të kufizuar, numrin e fëmijëve nën 18 vjeç, përkatësinë etnike në komunitetet jo shumicë, si dhe burimin e energjisë që përdorin familjet.
Ky projekt pritet të përfshijë deri në 200 shtëpi deri në vitin 2027 dhe shihet si një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi energjetik më të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm për Kosovën.