Home / Lajme / Tjera / KMDLNj: Qytetarët të padisin KESCO-n për dëmet nga reduktimet e gjata të rrymës

KMDLNj: Qytetarët të padisin KESCO-n për dëmet nga reduktimet e gjata të rrymës

Kohëve të fundit, në shumë zona të Kosovës janë shtuar reduktimet e energjisë elektrike që zgjasin nga 10 deri në 13 orë. Edhe pse reduktimet paralajmërohen në media, ka raste kur ato ndodhin pa njoftim paraprak, duke shkaktuar pakënaqësi të madhe te qytetarët, shkruan Kosova.info.

Sipas ankesave të qytetarëve drejtuar Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), gjatë këtyre reduktimeve të gjata po dëmtohen pajisjet shtëpiake dhe mjetet e punës, ndërsa nga KESCO nuk po hasin në mirëkuptim për kompensim të dëmeve.

“Qytetarët i paguajnë me rregull faturat e energjisë elektrike dhe presin furnizim të qëndrueshëm. Në rastet kur pësojnë dëme materiale, operatori është përgjegjës për furnizim të parregullt dhe me tension të ulët”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Sipas raportimeve të organizatës, shumë qytetarë dyshojnë se reduktimet e shpeshta dhe të gjata nuk ndodhin vetëm për shkak të prishjeve teknike, por edhe për arsye komerciale – që energjia të shitet në vendet fqinje.

KMDLNj u rekomandon qytetarëve që t’i drejtohen gjykatës dhe të kërkojnë kompensim për dëmet e shkaktuara nga reduktimet e energjisë.

Ndërkohë, qytetarët janë paralajmëruar se gjatë muajit dhjetor pritet rishikim i çmimit të energjisë elektrike, gjë që mund të rëndojë ndjeshëm buxhetin e familjeve me të ardhura të ulëta, pensionistëve, kategorive të luftës dhe bizneseve të vogla. Sipas KMDLNj-së, një rritje e tillë do të shkaktonte efekt zinxhiror në rritjen e çmimeve të produkteve bazë dhe shërbimeve.

“KMDLNj fton qytetarët që në mënyrë të vendosur të kundërshtojnë rritjen e çmimeve të energjisë elektrike duke përdorur të gjitha mjetet demokratike dhe ligjore,” thuhet më tej në komunikatë.

Organizata, po ashtu, e ka cilësuar situatën aktuale në vend si bllokadë institucionale, duke theksuar se pasojat po i përballojnë qytetarët për shkak të papërgjegjësisë së përfaqësuesve politikë.

“Rritjet e pagave janë të papërputhshme me inflacionin, pensionet kanë stagnuar, kategoritë sociale janë varfëruar skajshëm, ndërsa shumë veteranë dhe invalidë të luftës janë çuar në vetëvrasje për shkak të kushteve të rënda ekonomike”, theksohet në reagimin e KMDLNj-së.

Në fund, organizata kërkon nga përfaqësuesit institucionalë të tregojnë përgjegjësi dhe të krijojnë kushte për stabilizim të situatës ekonomike dhe sociale në vend.