Home / Lajme / Tjera / AKEREE dhe GIZ organizojnë shkollë verore për tranzicionin energjetik dhe politikat klimatike

AKEREE dhe GIZ organizojnë shkollë verore për tranzicionin energjetik dhe politikat klimatike

Studentët e vitit të fundit të studimeve Bachelor dhe ata në nivelin Master në Kosovë mund të aplikojnë për pjesëmarrje në një program shtatëditor mbi tranzicionin energjetik dhe politikat klimatike, që do të mbahet nga 28 nëntori deri më 4 dhjetor 2026 në Podujevë. Programi synon të ndërthurë njohuritë akademike me përvojën praktike përmes ligjëratave nga ekspertë, punës në grupe dhe vizitave në projekte të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë.

Shkolla për Tranzicionin Energjetik dhe Politikat Klimatike organizohet nga Asociacioni Kosovar për Energji të Ripërtëritshme dhe Efiçiencë të Energjisë (AKEREE), me mbështetjen e Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) në Kosovë.

Aktiviteti do të mbledhë studentë nga fusha të ndryshme për të diskutuar sfidat e transformimit të sistemit energjetik, ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe politikat që synojnë kalimin drejt një ekonomie me emetime të ulëta të karbonit, përcjell Energy Monitor.

Gjatë shtatë ditëve, pjesëmarrësit do të trajtojnë tema që përfshijnë energjinë e ripërtëritshme, efiçiencën e energjisë, sistemet e baterive për ruajtjen e energjisë, integrimin e burimeve të ripërtëritshme në rrjetin elektrik dhe funksionimin e tregjeve të energjisë elektrike.

Programi do të përfshijë edhe diskutime mbi çmimin e karbonit, modelet e reja të biznesit në sektorin e energjisë, biomasën dhe menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, si dhe përdorimin e inteligjencës artificiale për parashikimin e prodhimit nga burimet e ripërtëritshme dhe përmirësimin e efiçiencës energjetike.

Një pjesë e veçantë e shkollës do t’i kushtohet vizitës në projekte të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë, ku studentët do të kenë mundësi të shohin nga afër zbatimin e teknologjive dhe sfidat e zhvillimit të tyre, raporton Energy Monitor.

Pjesëmarrësit do të punojnë gjithashtu në grupe ndërdisiplinore, nën udhëheqjen e mentorëve, për të zhvilluar dhe prezantuar propozime e gjetje lidhur me temat e caktuara. Në përfundim të programit do të ndahen certifikata të pjesëmarrjes.

Kush mund të aplikojë?

Për aplikim mund të konkurrojnë studentët e vitit të fundit Bachelor dhe studentët Master nga fushat e shkencave teknike, arkitekturës, ekonomisë, menaxhmentit, shkencave natyrore, ekologjisë dhe studimeve mjedisore, bujqësisë, pylltarisë, shkencave politike, drejtësisë dhe fushave të ngjashme.

Kandidatët duhet të kenë njohuri bazike në Microsoft Office dhe mjete digjitale për hulumtim, përgatitje dhe prezantim të materialeve, si dhe interesim për tranzicionin energjetik dhe politikat klimatike. Programi do të zhvillohet në gjuhën shqipe, ndërsa njohja e anglishtes konsiderohet përparësi.

AKEREE dhe GIZ kanë bërë të ditur se studentet femra inkurajohen veçanërisht të aplikojnë. Ndërkaq, studentët që kanë marrë pjesë në edicionet e mëparshme të shkollës verore të organizuar nga AKEREE nuk kanë të drejtë të aplikojnë për këtë edicion.

Aplikimi dhe kushtet e pjesëmarrjes

Afati i fundit për aplikim është 16 nëntori 2026, deri në fund të ditës. Të interesuarit duhet të dërgojnë në adresën elektronike akeree@gmail.com një CV, kopjen e letërnjoftimit, kopjen e kartelës së studentit dhe një letër motivimi ku shpjegojnë interesimin dhe njohuritë e tyre për çështjet energjetike dhe mjedisore, si dhe arsyet për pjesëmarrje.

Në subjektin e emailit duhet të shënohet: “Aplikim – Shkolla për Tranzicionin Energjetik dhe Politikat Klimatike 2026”.

Numri i vendeve është i kufizuar. Në rastet kur aplikuesit kanë kualifikime dhe motivim të barabartë, përparësi do t’u jepet aplikimeve të dorëzuara më herët.

Akomodimi në hotel, ushqimi dhe shpenzimet e pjesëmarrjes në program do të mbulohen me mbështetjen e GIZ-it në Kosovë. Gjithashtu, do të organizohet transport falas vajtje-ardhje ndërmjet Prishtinës dhe hotelit në Podujevë, ndërsa pjesëmarrësit duhet ta sigurojnë vetë udhëtimin deri në Prishtinë.

Shkolla do të mbahet në Hotel Iliria Hill Resort në Podujevë, ndërsa për informata shtesë të interesuarit mund të kontaktojnë AKEREE-n në adresën akeree@gmail.com ose në numrin +383 44 413 241, gjatë ditëve të punës, nga ora 17:00 deri në 21:00.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com