Ndërtimi i interkonektorit të gazit midis Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, projekt me rëndësi strategjike për sigurinë energjetike dhe diversifikimin e burimeve të furnizimit me gaz në rajon, ishte në qendër të takimit të sotëm ndërmjet ministres së Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, dhe ndihmësministres serbe të Minierave dhe Energjetikës, Jovana Joksimoviq, e angazhuar për bashkëpunim ndërkombëtar dhe integrim evropian.
Takimi u zhvillua në kuadër të Forumit të 14-të Ndërkombëtar për Energji dhe Zhvillim të Qëndrueshëm (IFESD-14) në Shkup, raporton MIA.
Të dyja palët u dakorduan që projekti të realizohet me dinamikë të përshpejtuar, në mënyrë që të mundësohet ndërlidhja e sistemeve të gazit të dy vendeve dhe qasja në burime të reja furnizimi, ka bërë të ditur Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale (MEMBM).
Në kuadër të forumit, në ambientet e MEMBM-së u mbajt gjithashtu një takim pune, ku u diskutua koordinimi ndërinstitucional dhe operacional mes dy vendeve për realizimin e projektit. U shqyrtuan procedurat dhe hapat teknikë për përshpejtimin e mëtejshëm të aktiviteteve.
Interkonektori i gazit Serbi–Maqedoni e Veriut do të mundësojë lidhje dykahëshe për transportin e gazit natyror ndërmjet dy shteteve, duke garantuar qasje në burime të reja të furnizimit.
Pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit për ndërtimin e interkonektorit nga të dy qeveritë, një marrëveshje e ngjashme është firmosur edhe mes operatorëve kombëtarë “Serbiagaz” dhe “Nomagaz”, me qëllim përshpejtimin e zbatimit të projektit.
Gazsjellësi do të ketë një gjatësi prej rreth 70 kilometrash, prej të cilave 47 kilometra ndodhen në territorin e Serbisë dhe 23 në Maqedoninë e Veriut. Në territorin maqedonas, rrjeti do të lidhet me gazsjellësin ekzistues në Kleçovcë, ndërsa në Serbi me atë në Vranjë.



