Home / Lajme / Rajoni / ERE shtyn vendosjen e tarifës për detyrimin e energjisë së ripërtëritshme

ERE shtyn vendosjen e tarifës për detyrimin e energjisë së ripërtëritshme

Enti Rregullator i Energjisë nuk përcaktoi asnjë detyrim për energjinë e ripërtëritshme, duke nënvizuar në vendimin e fundit se kjo ishte e pamundur të bëhej për aq kohë sa nuk janë përmbushur kushtet e nevojshme të përcaktuara në ligj.

Enti iu referua metodologjisë së miratuar një vit më parë për llogaritjen e detyrimit të energjisë së ripërtëritshme, duke theksuar se kërkesat e pikës 4.2 vazhdojnë të mbeten të parealizuara.

Kjo do të thotë se Furnizuesi i Tregut të Lirë, i cili aktualisht ushtron rolin e Operatorit të Energjisë së Ripërtëritshme, nuk do të mund të marrë një tarifë që i faturohet klientit përfundimtar as për vitin 2025, dhe me shumë gjasë as për vitin 2026.

Por çfarë është në fakt ky detyrim, kush paguan dhe kush përfiton?

Sipas metodologjisë, “detyrimi për energjinë e ripërtëritshme” është një tarifë fikse që aplikohet për klientët përfundimtarë për të mbuluar kostot e Operatorit të Energjisë së Ripërtëritshme, në përputhje me sasinë përkatëse të energjisë elektrike të matur dhe të shpërndarë nga furnizuesit e tyre, e llogaritur sipas parimeve të përcaktuara në ligjin nr. 24/2023 “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme” dhe në këtë metodologji.

Sipas ERE, në dispozitat kalimtare të metodologjisë, konkretisht neni 10, parashikohet që, përjashtimisht për vitin 2025, Operatorit të Energjisë së Ripërtëritshme (OER), ose çdo enti tjetër që ushtron detyrat e tij, i jepej mundësia të paraqiste kërkesë për miratimin e detyrimit të energjisë së ripërtëritshme vetëm nëse plotësohej kushti i përcaktuar në pikën 4.2 – që lidhet me lëvrimin e energjisë së blerë në tregun e organizuar “day-ahead” dhe/ose “intraday”.

“Duke qenë se gjatë vitit 2025 nuk është realizuar lëvrimi i energjisë në Bursën Shqiptare të Energjisë (ALPEX), shoqëria ‘Furnizuesi i Tregut të Lirë’ sh.a., që ushtron detyrat e OER-it sipas VKM nr. 696, datë 13.11.2024, nuk paraqiti kërkesë për miratimin e detyrimit për këtë vit. Lidhur me këtë, duke qenë se kushti i përcaktuar në pikën 4.2 nuk është përmbushur për shkak të mungesës së lëvrimit të energjisë në tregun e organizuar (ALPEX), shoqëria ‘Furnizuesi i Tregut të Lirë’ sh.a., në cilësinë e Operatorit të Energjisë së Ripërtëritshme (OER), nuk ka paraqitur kërkesë për miratimin e detyrimit për këtë vit – dhe rezulton në të njëjtat kushte edhe për vitin 2026”, thuhet në parashtrimin e vendimit të datës 27 tetor.