Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: Hua e butë nga BB për përafrimin me politikat e ekonomisë miqësore me mjedisin

Shqipëri: Hua e butë nga BB për përafrimin me politikat e ekonomisë miqësore me mjedisin

Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi se Shqipëria do të marrë një hua buxhetore nga Banka Botërore në shumën 113.6 milionë euro për financimin e programit “Aftësia ripërtëritëse dhe zhvillimi i gjelbër”.

Gjatë prezantimit të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjes Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e programit “Aftësia ripërtëritëse dhe zhvillimi i gjelbër”, Malaj tha nga foltorja e Kuvendit se kjo kredi është në formën e mbështetjes buxhetore nga Banka Botërore.

“Kjo hua e butë përfaqëson një instrument për të forcuar financat publike dhe për të mbështetur reformat e Qeverisë në disa fusha ekonomike dhe sociale të vendit. Ajo vjen si njohje e përparimit të Shqipërisë për një sërë reformash që po ndërmarrin dhe që synojnë të forcojnë qëndrueshmërinë e sistemit tatimor, zhvillimin e energjive të rinovueshme, mbrojtjen e mjedisit dhe ekonominë e gjelbër”, tha Malaj.

Ministri Malaj u shpreh se “kjo kredi nuk përfaqëson vetëm një mbështetje financiare, por edhe një angazhim të përbashkët mes Qeverisë dhe Bankës Botërore në përafrimin e politikave me standardet e BE dhe e bëjnë ekonominë tonë më miqësore me mjedisin”, pohoi Malaj.

“Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të integrimit evropian dhe kjo hua nuk përfaqëson vetëm legjislaconin, por edhe modelin e zhvillimit të vendit tonë me standardet e BE-së.

Zhvillimi me aftësinë e gjelbër, nënkupton stabilitetin fiskal dhe kalimin drejt një ekonomie që mbron mjedisin dhe investon në burime të pastra energjike”, shtoi Malaj.

Malaj theksoi se ky ligj është një kontribut konkret në përafrimin me politikat e BE-së për klimën, energjinë dhe qeverisjen ekonomike.