Home / Lajme / Rajoni / Bosne dhe Hercegovinë: Nis ‘desulfurizimi’ i termocentralit në Kakanj – emetimet pritet të ulen pothuajse 100%

Bosne dhe Hercegovinë: Nis ‘desulfurizimi’ i termocentralit në Kakanj – emetimet pritet të ulen pothuajse 100%

Elektroprivreda BiH ka njoftuar nisjen e projektit të desulfurizimit për njësitë 6 dhe 7 në Termocentralin e Kakanjit, i cili synon uljen e emetimeve të dioksid-sulfureve (SO₂) me rreth 98.5 për qind. Aktualisht, emetimet arrijnë rreth 9,000 mg/Nm³, ndërsa pas përfundimit të impiantit të ri ato pritet të zbresin në më pak se 150 mg/Nm³.

Projekti është në përputhje me kërkesat e Komunitetit të Energjisë dhe me Planin Kombëtar të Uljes së Emeteve në Bosnjë e Hercegovinë, që parashikon se njësitë termike pa sisteme adekuate për desulfurizim dhe denitrifikim nuk do të mund të operojnë pas vitit 2027.

Në fazat e mëhershme, përmes instalimit të filtreve hibride, TC Kakanj ka arritur të ulë emetimet e pluhurit nën 10 mg/Nm³, shumë më poshtë se kufizimet e BE-së dhe NERP BiH. Kompania planifikon gjithashtu ndërtimin e një impianti denitrifikimi për NOₓ.

Investimi për desulfurizimin kap vlerën 126.4 milionë BAM (rreth 62.8 milionë euro) dhe financohet nga fondet e EPBiH. Ndërsa impianti i denitrifikimit vlerësohet në 55 milionë BAM (rreth 28.1 milionë euro). Punimet pritet të përfundojnë deri në fund të vitit.

Sipas drejtorit të përgjithshëm të EPBiH, Sanel Buljubašić, projektet do të mundësojnë funksionimin e njësive të termocentralit edhe pas 1 janarit 2028, duke siguruar furnizimin me energji dhe ngrohje për qytetin. Megjithatë, theksoi ai, përfitimi më i madh është përmirësimi i cilësisë së ajrit për komunitetin lokal.

Në të njëjtën kohë po zhvillohen punimet për revitalizimin e Njësisë 7, një investim prej 80 milionë BAM, i cili do t’i shtojë edhe 15 vite të tjera jetëgjatësisë operative të saj. Përfundimi pritet në maj 2026.

Objektivi strategjik afatgjatë i EPBiH është reduktimi i emetimeve totale deri në 80% deri në vitin 2050, përmes modernizimit të njësive ekzistuese dhe rritjes së pjesëmarrjes së burimeve të ripërtëritshme në miksin energjetik të vendit.