Një konsorcium i përbërë nga kompani kanadeze dhe amerikane është përzgjedhur për të mbikëqyrur projektin e ndërtimit të njësive 7 dhe 8 të termocentralit bërthamor Kozloduy në Bullgari. Konsorciumi, i drejtuar nga kompanitë kanadeze Laurentis Energy Partners dhe Canadian Nuclear Partners, përfshin gjithashtu edhe BWX Technologies, një kompani amerikane me përvojë të gjerë në industrinë bërthamore.
Marrëveshja e nënshkruar i jep konsorciumit rolin e “Owner’s Engineer”, duke e ngarkuar me detyrën për të mbikëqyrur të gjithë procesin – nga projektimi dhe prokurimet e deri te ndërtimi dhe vënia në punë e njësive të reja. Kontrata pritet të zgjasë deri në dhjetë vjet, periudhë gjatë së cilës konsorciumi do të sigurojë standardet më të larta të sigurisë teknike dhe operacionale.
Në fazën e parë, ekipet do të punojnë në analizat paraprake dhe dokumentet teknike të nevojshme për vendimin final të investimit, i cili pritet të merret në vitin 2026. Nëse miratohet, punimet e plota të ndërtimit do të vazhdojnë nën mbikëqyrjen e të njëjtit konsorcium.
Bullgaria e sheh zgjerimin e kapaciteteve bërthamore si një element kyç për garantimin e sigurisë afatgjatë energjetike dhe për tranzicionin drejt prodhimit të energjisë me emetime të ulëta. Sipas autoriteteve, njësia e re bërthamore pritet të hyjë në funksion rreth vitit 2035, ndërsa njësia pasuese do të përfundojë disa vite më vonë.
Përfshirja e një konsorciumi ndërkombëtar me eksperiencë të theksuar kanadeze dhe amerikane shihet si një garanci për realizimin e projektit në përputhje me standardet më të avancuara teknike dhe të sigurisë.



