Korporata Energjetike e Kosovës i ka dhënë kompanisë “Ex Fis” kontratën për furnizim me mazut, me një vlerë prej rreth 264 mijë eurosh. Kontrata është lidhur përmes procedurës së negociuar, pa publikim paraprak të njoftimit për tender.
Sipas marrëveshjes, një pjesë e mazutit – rreth 150 tonë – duhet të dorëzohet brenda 48 orëve nga nënshkrimi, ndërsa sasia e mbetur, deri në 350 tonë, duhet të përfundojë brenda 20 ditësh.
“Ex Fis” është kompani e njohur edhe për faktin se në të kaluarën ka ofruar donacione për Lëvizjen Vetëvendosje, çka ka ngjallur reagime dhe akuza për favorizim në proceset e prokurimit publik.
Emri i kësaj kompanie është përmendur edhe në aferën e aeroportit të Prishtinës, ku ishte raportuar se përmes procedurave të mbyllura dhe pa konkurrencë të plotë, kishte siguruar kontrata për furnizim me derivate – çështje që atë kohë ishte kritikuar për mungesë transparence dhe për krijimin e një rrethi të privilegjuar furnitorësh.
Në një periudhë kur tenderi kryesor për furnizim me mazut mbetet ende pezull, KEK po vazhdon me kontrata emergjente të negociuara me të njëjtën kompani, gjë që sipas kritikëve vë në pikëpyetje transparencën dhe konkurrencën në procesin e prokurimit.


