Home / Lajme / Kosova / Vazhdon të jetë i hapur aplikimi për skemën e granteve për energji të pastër për bizneset

Vazhdon të jetë i hapur aplikimi për skemën e granteve për energji të pastër për bizneset

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se vazhdon të jetë i hapur aplikimi për Skemën e Granteve për Energji të Pastër, e cila ofron mbështetje financiare deri në 25 mijë euro për bizneset që investojnë në teknologji dhe masa për uljen e konsumit të energjisë dhe rritjen e përdorimit të energjisë së pastër.

Skema u dedikohet ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe ndërmarrjeve të mëdha që nuk përfitojnë nga tarifat e rregulluara të energjisë elektrike, dhe që kanë prodhimin ose përpunimin si aktivitet primar apo sekondar.

Mbështetja ofrohet përmes tri thirrjeve të veçanta publike, të strukturuara sipas masave përkatëse:

  • Masa 1 parasheh mbështetje për instalimin e sistemeve të energjisë solare dhe sistemeve të baterive për ruajtjen e energjisë elektrike;
  • Masa 2 përfshin financimin e masave të efiçiencës së energjisë në ndërtesat e bizneseve, me synim përmirësimin e performancës energjetike;
  • Masa 3 mbështet pajisje dhe teknologji që ulin konsumin e energjisë në linjat e prodhimit.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, skema synon të ndihmojë bizneset në uljen e kostove operative, rritjen e konkurrueshmërisë dhe përshpejtimin e tranzicionit drejt një ekonomie më të qëndrueshme.

Projekti financohet nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe zbatohet nga KIESA/MINT, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe LuxDev – Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.

Aplikimi bëhet përmes platformës e-Kosova, ndërsa afati i fundit për aplikim është 31 janar 2026.