Ministrja e Energjetikës e Maqedonisë së Veriut, Sanja Bozhinovska, ka siguruar se nuk do të ketë krizë energjetike dhe as kufizime të furnizimit me energji elektrike, pavarësisht kërkesës së kompanisë shtetërore EMV drejtuar Qeverisë për shpalljen e gjendjes së krizës në tregun e energjisë.
Kërkesa e EMV-së vjen si pasojë e vështirësive në furnizimin me lëndë djegëse, të shkaktuara nga bllokadat e kufijve me Greqinë për shkak të protestave të bujqve grekë. Bozhinovska bëri të ditur se kjo kërkesë do të shqyrtohet në seancën e radhës të Qeverisë, ku pritet edhe aktivizimi i rezervave shtetërore.
Sipas saj, shteti aktualisht disponon rreth 10.500 ton mazut, sasi e cila është e mjaftueshme për rreth 47 ditë funksionim.
“EMV i ka dorëzuar Qeverisë një kërkesë formale, e cila do të shqyrtohet nesër në seancë qeveritare. Nuk do të ketë asnjë krizë. Për qytetarët kjo situatë nuk do të ketë ndikim, pasi shteti ka rezerva të mjaftueshme të mazutit. Duke marrë parasysh protestat në Greqi dhe vështirësitë që kanë zgjatur mbi 50 ditë në furnizim, rezervat shtetërore do të përdoren për të furnizuar EMV-në”, deklaroi Bozhinovska.
Ajo shtoi se protestat e bujqve grekë vazhdojnë edhe pasditen e sotme, por sipas paralajmërimeve, pikat kufitare me Greqinë pritet të jenë të kalueshme gjatë festave.
Ministrja njoftoi gjithashtu se është përzgjedhur kompania që do të realizojë ndërtimin e linjës së tensionit të lartë drejt Shqipërisë, pas ndërprerjes së kontratës së mëparshme me kompaninë boshnjake “Energoinvest”, për shkak të mosrespektimit të obligimeve kontraktuale. Detajet, sipas saj, do të publikohen nga operatori MEPSO.
Në të njëjtën kohë, Bozhinovska theksoi se po punohet intensivisht edhe në ndërtimin e interkonektorit të gazit me Greqinë, projekt i cili pritet të përfundojë në pranverën e vitit 2027.
“Ne kemi zhvilluar edhe një takim dypalësh në Serbi, ku diskutuam për interkonektorin Serbi–Maqedoni. Bëhet fjalë për një segment prej 23 kilometrash. Do të aplikojmë së bashku për financim nga Banka Botërore dhe presim që projekti të përfundojë deri në fund të vitit 2027, çka do të mundësojë tranzitimin e gazit në korridorin Greqi–Maqedoni–Serbi”, tha Bozhinovska.
Sipas ministres, plani vjetor për vitin 2025 parasheh ndërtimin e kapaciteteve energjetike me një fuqi totale prej 1.265 megavatësh, me investime që arrijnë rreth 1,4 miliard euro. Ndërkaq, për vitin 2026, Ministria ka pranuar kërkesa për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike me një kapacitet total prej 10.950 megavatësh.



