Home / Lajme / Rajoni / Shqipëria nuk ka ende një plan përgatitjeje për sigurinë energjetike, vlerëson Sekretariati i Komunitetit të Energjisë

Shqipëria nuk ka ende një plan përgatitjeje për sigurinë energjetike, vlerëson Sekretariati i Komunitetit të Energjisë

Shqipëria nuk ka ende një plan gatishmërie për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji sipas parimeve të përcaktuara nga direktivat e Bashkimit Evropian, vlerëson Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në raportin e fundit. Afatet për të përmbushur disa nga kërkesat e lidhura me rregulloren përkatëse kanë përfunduar prej vitesh, por përafrimi mbetet ende në faza diskutimi.

Raporti thekson se Shqipëria nuk ka transpozuar ende Rregulloren (BE) 2019/941 dhe nuk ka caktuar një autoritet kompetent për përgatitjen ndaj rreziqeve, edhe pse afatet përfunduan më 31 dhjetor 2023 dhe 5 janar 2023. Një version pune i projektligjit për Sektorin e Energjisë Elektrike, i shqyrtuar nga Sekretariati në korrik 2025, synon të transpozojë disa dispozita të kësaj rregulloreje dhe parashikon që ministria përgjegjëse të jetë autoriteti kompetent që duhet të miratojë planin e përgatitjes ndaj rreziqeve.

Megjithatë, raporti nënvizon se transpozimi dhe zbatimi i plotë i rregullores do të kërkojnë përpjekje të mëtejshme, duke përfshirë hartimin dhe miratimin e legjislacionit parësor dhe atij dytësor. Po ashtu, Rregullorja (BE) 2017/2196 nuk është transpozuar ende, dhe Shqipëria nuk ka dorëzuar Deklaratat e Sigurisë së Furnizimit me Energji Elektrike pranë Sekretariatit, siç parashikon neni 29 i Traktatit.

Raporti trajton gjithashtu sigurinë kibernetike, duke përmendur miratimin e Ligjit nr. 25/2024, pjesërisht të harmonizuar me Direktivën e BE-së për Sigurinë e Rrjeteve dhe Sistemeve të Informacionit (NIS2), si dhe krijimin e Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK), për të mbikëqyrur dhe koordinuar përpjekjet e vendit në këtë fushë.

Në fushën e sigurisë së furnizimit me gaz dhe naftë, raporti evidenton se avancimi mbetet i ndryshëm: sektori i gazit është më i përparuar, ndërsa sektori i naftës ka realizuar vetëm 23 për qind të planit të përafrimit me kërkesat e Bashkimit Evropian.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë thekson se Shqipëria duhet të marrë masa të menjëhershme për të korrigjuar mangësitë dhe për t’u përputhur plotësisht me standardet evropiane në sektorin energjetik, për të garantuar furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm për qytetarët dhe ekonominë.