Home / Lajme / Energjia e ripërtëritshme / Bllokimi i dhënies me qira të tokës pyjore, ndër arsyet kryesore të stagnimit të projekteve të reja të energjisë së ripërtëritshme

Bllokimi i dhënies me qira të tokës pyjore, ndër arsyet kryesore të stagnimit të projekteve të reja të energjisë së ripërtëritshme

Bllokimi i dhënies me qira të tokës publike pyjore nga institucionet e Kosovës vite më parë po konsiderohet një nga pengesat kryesore për moszhvillimin e projekteve të reja të energjisë së ripërtëritshme, në një kohë kur vendi po përballet me krizë të vazhdueshme energjetike dhe varësi të lartë nga importi i energjisë elektrike.

Prej më shumë se një viti, Agjencia e Pyjeve e Kosovës ka pezulluar procedurat për dhënien me qira dhe zgjatjen e kontratave ekzistuese për tokën pyjore, për shkak të paqartësive ligjore mes Ligjit për Pyjet dhe Ligjit për Pronën Publike. Megjithatë, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme nga sektori privat dhe shoqatat e biznesit, Qeveria ende nuk ka marrë një vendim për zgjidhjen e kësaj situate.

Ky bllokim ka ndikuar drejtpërdrejt në projektet e planifikuara të energjisë së erës dhe asaj solare, të cilat në shumë raste kërkojnë shfrytëzimin e parcelave publike, përfshirë edhe tokën pyjore me përdorim të kufizuar. Investitorë vendorë dhe të huaj kanë paralajmëruar se pasiguria ligjore dhe mungesa e vendimmarrjes institucionale po i detyron ata të shtyjnë ose të braktisin projektet e tyre.

Situata bëhet edhe më problematike në kontekstin e krizës aktuale energjetike. Kosova vazhdon të ketë kapacitete të pamjaftueshme prodhuese, me termocentrale të vjetruara dhe me rritje të vazhdueshme të konsumit. Në këtë realitet, çdo vonesë në zhvillimin e burimeve të reja të energjisë së ripërtëritshme përkthehet në më shumë import, kosto më të larta për qytetarët dhe presion shtesë mbi sistemin energjetik.

Pavarësisht premtimeve për tranzicion energjetik dhe pavarësi energjetike, mungesa e një vendimi konkret për çështjen e tokës pyjore po shihet si mungesë vullneti politik për të zhbllokuar investimet strategjike. Ndërkohë, kriza vazhdon, importi rritet dhe projektet e reja mbesin në sirtarë.

Pa një zgjidhje të shpejtë institucionale dhe harmonizim të legjislacionit, Kosova rrezikon të humbasë jo vetëm investime të rëndësishme në energjinë e ripërtëritshme, por edhe kohë të çmuar në një moment kur siguria energjetike është kthyer në çështje kritike kombëtare.