Home / Lajme / Rajoni / Qeveria e Shqipërisë miraton centralin fotovoltaik 128 MW në Fier, kompania i jep shtetit 2% të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë

Qeveria e Shqipërisë miraton centralin fotovoltaik 128 MW në Fier, kompania i jep shtetit 2% të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë

Qeveria e Shqipërisë ka miratuar ndërtimin e një centrali gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike në zonën Sheq–Marinas të Bashkisë Fier. Projekti do të realizohet nga kompania “SOLEN ENERGY”, SH.P.K. dhe nuk është objekt koncesioni apo skeme mbështetëse shtetërore.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, centrali do të ketë një kapacitet të instaluar prej 128 MW, ndërsa afati i parashikuar për ndërtimin dhe vënien në punë është deri në 36 muaj nga hyrja në fuqi e vendimit. Afati i operimit të projektit është përcaktuar 49 vjet, raporton Energy Monitor.

Një nga elementet kryesore të vendimit është detyrimi i kompanisë që t’i japë shtetit shqiptar 2% të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike, në formë royalty, ose ta konvertojë këtë sasi në vlerë monetare që derdhet në buxhetin e shtetit.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, do të ushtrojnë mbikëqyrje periodike mbi realizimin dhe operimin e projektit.

Ky projekt konsiderohet një tjetër hap në zgjerimin e kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme në Shqipëri, me rëndësi edhe për zhvillimet energjetike në rajon.

/Energy Monitor