Ka nisur zyrtarisht projekti për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në termocentralin Kosova B, një investim që synon të reduktojë ndotjen dhe të përmirësojë cilësinë e ujit në lumin Sitnica.
Në ambientet e Termocentrali “Kosova B” të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) u mbajt ceremonia zyrtare e nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e pesë impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura dhe një objekti për magazinimin e kimikateve, në kuadër të projektit “Përmirësimi i cilësisë së ujit të lumit Sitnica përmes ndërtimit të impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura në TC “Kosova B”.
Projekti do të mbështesë ndërtimin e pesë impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura dhe një objekti për magazinimin e kimikateve në Termocentrali “Kosova B”, si pjesë e një sistemi të integruar të projektuar për operim të sigurt, të qëndrueshëm dhe afatgjatë.
Ky projekt në vlerë 12 milionë euro është financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNOPS, në bashkëpunim me institucionet vendore, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës.
Në fazën fillestare do të përfshihet hartimi i projektit, përpara se të kalohet në ndërtimin e plotë të impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në TC Kosova B, i cili do të ndalojë derdhjen e mbetjeve të dëmshme nga termocentrali në lumin Sitnicë.
Ceremonia e nisjes së projektit mblodhi përfaqësues të institucioneve kryesore, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në adresimin e sfidave mjedisore, përcjell Energy Monitor.
“Ky projekt përputhet plotësisht me prioritetet tona sektoriale për forcimin e infrastrukturës energjetike publike si një shtyllë kyçe e sigurisë së furnizimit me energji. Prioriteti ynë nuk ka qenë vetëm ruajtja e kapaciteteve gjeneruese, por përmirësimi i tyre duke i bërë më të besueshme, më efiçiente dhe në përputhje me standardet mjedisore”, ka thënë Ministrja Rizvanolli në ceremoninë e nënshkrimit.
Qëllimi kryesor është ndalimi i derdhjes së mbetjeve të dëmshme nga termocentrali në lumin Sitnica, duke kontribuar në mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e shëndetit publik, njofton Energy Monitor.
Shefi i Bashkëpunimit në European Union in Kosovo, Hubert Perr, theksoi se ky investim do të mbështesë zhvillimin e gjelbër dhe përmirësimin e menaxhimit të ujërave të zeza, duke ndihmuar Kosovën të përmbushë standardet mjedisore të Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, shefja e zyrës së UNOPS Kosovo, Sabine Kania, u shpreh se projekti është një hap konkret drejt sigurimit të një mjedisi më të shëndetshëm për komunitetet përgjatë lumit Sitnica.
Ky projekt konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës mjedisore dhe reduktimit të ndikimit të sektorit energjetik në burimet ujore në Kosovë.



