Home / Lajme / Kosova / Skandali me njehsorë – parregullsitë e gjetura nga Agjencia e Metrologjisë, deklarata e Kusarit dhe reagimi i KEDS-it e KESCO-s

Skandali me njehsorë – parregullsitë e gjetura nga Agjencia e Metrologjisë, deklarata e Kusarit dhe reagimi i KEDS-it e KESCO-s

Skandali me njehsorët elektrikë në Kosovë ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, duke ngritur dyshime serioze për mënyrën e faturimit të energjisë elektrike.

Në dy ditët e fundit janë paraqitur 206 kërkesa për verifikimin e njehsorëve elektrikë, duke treguar rritje të interesimit të qytetarëve për të ditur rreth mënyrës së faturimit.

E në këtë drejtim, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka intensifikuar masat për mbrojtjen e konsumatorëve në lidhje me verifikimin e njehsorëve elektrikë.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), pas themelimit të komisionit ad hoc për verifikimin e njehsorëve elektrikë të konsumatorëve, që kanë parashtruar ankesa në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, ju njofton se procesi i verifikimit është duke vazhduar me intensitet të lartë.

Pas verifikimit laboratorik në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës të njehsorëve të parë janë konstatuar këto gjetje kryesore:

  • Është vërtetuar se njehsorët kanë qenë me afat të skaduar të vlefshmërisë;
  • Janë evidentuar devijime në datë prej rreth 2–3 ditësh krahasuar me kohën reale;
  • Gjithashtu është konstatuar se ekzistojnë devijime prej rreth 10–11 orësh krahasuar me kohën reale;
  • Matja e energjisë elektrike ka rezultuar të jetë në rregull dhe pa ndikim në saktësinë e konsumit të regjistruar;
  • Është konstatuar se bllombat kanë qenë të paprekura dhe pa dëmtime.

“Me të marrë raportin e gjetjeve, MINTI do të kërkojë zyrtarisht nga ZRRE (Zyra e Rregullatorit të Energjisë) marrjen e masave konform devijimeve të konstatuara. Ndërsa, duke u bazuar në Ligjin nr. 06/L-037, neni 23, paragrafët 4 dhe 5, si dhe neni 46, paragrafi 1.3, nënparagrafi 1.3.2, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) do të shqiptojë gjoba ndëshkimore ndaj KEDS-it, si pronar dhe shfrytëzues i njehsorëve, për çdo gjetje që lidhet me afatin e skaduar të vlefshmërisë së njehsorëve.

Për informimin tuaj të drejtë, ju konfirmojmë se Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, deri më datën 30.03.2026, nuk ka pranuar asnjë ankesë nga konsumatorët për njehsorët e energjisë elektrike. Ndërsa, pas formimit të komisionit verifikues, vetëm gjatë dy ditëve të fundit, pranë këtij departamenti janë pranuar 209 ankesa, për të cilat komisioni është duke kryer verifikimin”, thuhet në njoftim.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, konkretisht Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të parashtrojnë ankesat e tyre në adresën elektronike konsumatori@rks-gov.net, duke bashkëngjitur numrin e telefonit dhe adresën e banimit, në mënyrë që verifikimi të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur.

Ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, në seancën e së enjtes në Kuvend njoftoi se në dy ditët e fundit janë paraqitur 206 kërkesa për verifikimin e njehsorëve elektrikë, duke treguar rritje të interesimit dhe vetëdijes së qytetarëve për këtë çështje.

Ajo theksoi se Ministria, përmes Agjencisë për Metrologji, ka themeluar një grup punues ad-hoc në bashkëpunim me Inspektoriatin Qendror të Tregut, i cili po merret me kontrollin dhe verifikimin e njësive matëse.

“Procesi ka nisur dhe do të vazhdojë me transparencë të plotë, ndërsa çdo rezultat do të publikohet dhe çdo rast do të trajtohet sipas ligjit”, tha ajo.

E lidhur me këtë skandal kanë reaguar edhe KEDS-si dhe KESCO.

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) dhe Kompania për Furnizim me Energji (KESCO) kanë deklaruar se njehsorët elektrikë në Kosovë matin saktë konsumin e energjisë, ndërsa devijimet e raportuara së fundmi lidhen me karakteristika teknike dhe jo me manipulim.

Në një konferencë për media, përfaqësuesit e dy kompanive thanë se shqetësimet e konsumatorëve janë trajtuar me seriozitet dhe se çdo rast i konstatuar si anomali është korrigjuar në përputhje me rregullat në fuqi.

Sipas tyre, të gjithë njehsorët janë në përputhje me standardet evropiane dhe kalojnë nëpër procese të rrepta certifikimi para se të vendosen te konsumatorët.

Devijimet në kohë, që janë përmendur në raportimet e fundit, cilësohen si toleranca teknike të njohura, të përcaktuara edhe nga standardi ndërkombëtar IEC 62054-21.

“Kohëzgjatja e tarifave mbetet gjithmonë e njëjtë. Nëse fillon më vonë, përfundon më vonë, dhe nëse nis më herët, përfundon më herët”, u tha në konferencë, duke theksuar se periudha totale e tarifimit nuk ndryshon. /Telegrafi

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com