Nga Mali i Zi, ku mori pjesë në Ministerialin e Energjisë në kuadër të Procesit të Berlinit, ministri Enea Karakaci deklaroi se Shqipëria po forcon pozicionin e saj si lider rajonal në energjinë e ripërtëritshme.
Ai theksoi se forumi shërbeu si një platformë e rëndësishme bashkëbisedimi ndërmjet institucioneve financiare ndërkombëtare, ministrave të energjisë dhe aktorëve privatë të interesuar për të investuar në rajon. Sipas tij, gjatë takimit u nënvizuan politikat mbështetëse që qeveria shqiptare ka zbatuar për zhvillimin e energjisë së pastër.
Karakaci shtoi se Shqipëria vazhdon të mbetet ndër vendet kryesore në rajon për energjinë e rinovueshme, falë skemave të ankandeve dhe projekteve të realizuara, veçanërisht në sektorin fotovoltaik, përfshirë investime të zhvilluara edhe pa mbështetje direkte qeveritare.
Një nga çështjet kryesore të diskutuara nga vendet e Ballkanit Perëndimor ishte edhe mekanizmi i ri i taksimit të karbonit nga Bashkimi Evropian, i cili parashikon kosto shtesë për prodhimin e energjisë jo të rinovueshme. Në këtë kontekst, Karakaci theksoi se kjo paraqet një mundësi për Shqipërinë që të rrisë më tej investimet në energjinë e pastër dhe të përmirësojë pozicionin konkurrues në raport me vendet e tjera të rajonit.
Sipas tij, kjo politikë e BE-së e gjen Shqipërinë të përgatitur dhe në një pozicion të favorshëm për të përfituar nga tranzicioni energjetik në rajon.



