Maqedonia e Veriut ka nisur zyrtarisht funksionimin e tregut brenda-ditës të energjisë elektrike, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt liberalizimit të mëtejshëm, modernizimit dhe integrimit evropian të sektorit energjetik.
Ngjarja u organizua nga MEMO – Operatori Kombëtar i Tregut të Energjisë Elektrike në Maqedoninë e Veriut – në Shkup, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve qeveritarë, kompanive energjetike dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, deklaroi se tregu brenda-ditës përfaqëson një fazë të re në zhvillimin e sistemit elektroenergjetik dhe një mekanizëm kyç për rritjen e fleksibilitetit dhe efikasitetit të tij.
Sipas saj, tregu i ri mundëson menaxhimin e energjisë elektrike në kohë reale, duke u dhënë kompanive mundësinë të përshtatin pozicionet e tyre menjëherë para dorëzimit të energjisë, të reduktojnë kostot e disbalancit dhe të menaxhojnë më mirë prodhimin dhe konsumin.
Bozhinovska theksoi gjithashtu se tregu brenda-ditës do të luajë rol të rëndësishëm në integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, duke ndihmuar sistemin të menaxhojë më lehtë variabilitetin e prodhimit nga energjia diellore dhe ajo e erës, përcjell Energy Monitor.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt një sektori energjetik më të gjelbër, më të qëndrueshëm dhe më konkurrues”, deklaroi ajo.
Sipas ministres, faza e ardhshme do të jetë ndërlidhja e tregut maqedonas me tregjet e vendeve fqinje përmes procesit të market coupling, me synim rritjen e likuiditetit, krijimin e sinjaleve më të drejta të çmimeve dhe përgatitjen për mekanizmat e Bashkimit Evropian, përfshirë edhe CBAM.
Në ceremoninë hapëse foli edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili tha se krijimi i tregut brenda-ditës është rezultat i reformave konkrete në sektorin energjetik.
Ndërkohë, drejtori i MEMO-s, Zoran Gjorgjievski, theksoi se sistemi elektroenergjetik i vendit tashmë fiton aftësinë të funksionojë në kohë reale, me sinjale më të qarta të çmimeve dhe menaxhim më efikas të burimeve energjetike.
Realizimi i projektit është mbështetur nga BSP SouthPool dhe Komuniteti i Energjisë.



