Home / Lajme / Ndërkombëtare / Kuba drejt kolapsit energjetik, ministri paralajmëron: Nuk kemi më asnjë pikë naftë

Kuba drejt kolapsit energjetik, ministri paralajmëron: Nuk kemi më asnjë pikë naftë

Kriza energjetike në Kubë po hyn në një fazë edhe më të rëndë, pasi rezervat e naftës së dhuruar nga Rusia janë shteruar plotësisht, paralajmëroi ministri kubanez i Energjisë dhe Minierave, Vicente de la O Levy.

Në një dalje të jashtëzakonshme në televizionin shtetëror, ministri tha se situata energjetike në ishull është “jashtëzakonisht e tensionuar”, ndërsa temperaturat e larta të verës po rrisin ndjeshëm kërkesën për energji elektrike.

“Ne nuk kemi absolutisht asnjë naftë”, deklaroi ai, duke pranuar se rrjeti elektrik i vendit ndodhet pranë kolapsit.

Sipas autoriteteve kubaneze, një dërgesë e vetme me naftë ruse, e mbërritur në fund të marsit si donacion, u konsumua në fillim të majit. Ndërkohë, Havana pretendon se prej më shumë se katër muajsh nuk ka marrë asnjë furnizim me naftë nga Venezuela, aleati tradicional i ishullit.

Pasojat po ndihen rëndë nga qytetarët. Në shumë zona të Kubës, ndërprerjet e energjisë zgjasin deri në 20-22 orë në ditë. Banorët raportojnë se nuk kanë mundësi të karikojnë telefonat apo mjetet elektrike të transportit, ndërsa shumë familje detyrohen të zgjohen gjatë natës për të gatuar apo larë rrobat në momentet e pakta kur rikthehet energjia.

Ditët e fundit janë regjistruar edhe protesta sporadike në disa qytete, ku qytetarët kanë dalë në rrugë duke goditur tenxhere dhe tiganë në shenjë revolte ndaj krizës së thellë energjetike.

Qeveria kubaneze po përpiqet të zbusë situatën përmes përdorimit të energjisë diellore dhe paneleve të dhuruara nga Kina, por ministri pranoi se mungesa e baterive për ruajtjen e energjisë dhe kushtet atmosferike e bëjnë këtë alternativë të pamjaftueshme.

Kriza vjen në një moment tensionesh të larta mes Havanës dhe Uashingtonit. Administrata Trump ka shtuar presionin ndaj regjimit komunist kubanez, duke kërkuar reforma politike dhe ekonomike në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Të mërkurën, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi një paketë ndihme prej 100 milionë dollarësh për Kubën, e kushtëzuar me “reforma kuptimplota” në sistemin politik të vendit.

Nga ana tjetër, autoritetet kubaneze e kanë cilësuar këtë presion si ndërhyrje të papranueshme dhe kanë deklaruar se do t’i rezistojnë çdo tentative për destabilizim apo ndërhyrje ushtarake.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com