Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar për inaugurimin e Parkut Industrial në Frashër të Vogël të Mitrovicës, projekt që synon zhvillimin ekonomik të rajonit, fuqizimin e sektorit prodhues dhe krijimin e kushteve moderne për bizneset dhe investitorët.
Sipas ministres, pas vizitës së muajit prill, kur ishte nënshkruar kontrata e re në vlerë prej afro 1 milion eurosh për vazhdimin e ndërtimit të infrastrukturës fizike të parkut, sot është vendosur gurthemeli i projektit në prani të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të Mitrovicës, Faton Peci.
Kusari-Lila ka bërë të ditur se Parku Industrial në Frashër të Vogël, i krijuar në vitin 2014, shtrihet në një sipërfaqe prej 48 hektarësh dhe konsiderohet si një projekt me potencial të madh për ekonominë lokale dhe transformimin industrial të rajonit të Mitrovicës, përcjell Energy Monitor.
Ajo ka theksuar se investimi i ri i shtohet investimeve të mëhershme publike prej rreth 500 mijë eurosh, ndërsa punimet synojnë krijimin e një parku industrial modern dhe konkurrues sipas standardeve evropiane.
Sipas ministres, projekti është konceptuar mbi parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, ekonomisë qarkore dhe përdorimit të teknologjive moderne, me fokus në mbrojtjen e mjedisit, politikat e gjelbra dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Kusari-Lila ka vlerësuar se ky projekt shënon fillimin e një etape të re zhvillimore për Mitrovicën dhe për gjithë Kosovën, duke shtuar se qyteti po shndërrohet në një qendër të rëndësishme industriale dhe ekonomike, si dhe në një destinacion më tërheqës për investime vendore dhe të huaja.



