Home / Lajme / Kosova / KEK thellon bashkëpunimin me BERZH-in: fokus në modernizimin e TC “Kosova B” dhe parkun solar 100 MW

KEK thellon bashkëpunimin me BERZH-in: fokus në modernizimin e TC “Kosova B” dhe parkun solar 100 MW

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka pritur në vizitë një delegacion të lartë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në termocentralin “Kosova B”, në kuadër të diskutimeve për projektet aktuale dhe të ardhshme të transformimit të sektorit energjetik në Kosovë.

Delegacioni i BERZH-it, i kryesuar nga Sergiy Maslichenko dhe Francesco Corbo, u informua nga kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Gramos Hashani, për operimet aktuale të korporatës dhe projektet kryesore që synojnë modernizimin e kapaciteteve gjeneruese dhe kalimin drejt një portofoli më të qëndrueshëm energjetik në Kosovë.

Gjatë takimit u prezantuan investimet që tashmë janë në fazë implementimi në TC “Kosova B”, përfshirë modernizimin e turbinave, instalimin e elektrofiltrave dhe sistemet DeNOx për reduktimin e emetimeve, si dhe modernizimin e thellë të njësisë A3 në TC “Kosova A”, njofton Energy Monitor.

Delegacioni i BERZH-it vizitoi gjithashtu Divizionin e Prodhimit të Qymyrit (Minierën), si dhe lokacionin ku planifikohet ndërtimi i një parku solar me kapacitet 100 MW në Kosovë, i cili konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme të KEK-ut në fushën e energjisë së ripërtëritshme.

Sipas KEK-ut, ky projekt synon diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë në Kosovë, duke shtuar kapacitetet solare krahas prodhimit tradicional nga thëngjilli dhe duke mbështetur tranzicionin energjetik afatgjatë të vendit.

Bashkëpunimi me BERZH-in shihet si i rëndësishëm për financimin dhe mbështetjen teknike të projekteve strategjike, veçanërisht në një periudhë kur sektori energjetik në Kosovë po përballet me nevojën për modernizim të thellë dhe rritje të qëndrueshmërisë së sistemit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com