Home / Lajme / Mjedisi / INDEP publikon raportin për biodiversitetin: Kosova duhet të zgjerojë zonat e mbrojtura dhe të forcojë qeverisjen mjedisore

INDEP publikon raportin për biodiversitetin: Kosova duhet të zgjerojë zonat e mbrojtura dhe të forcojë qeverisjen mjedisore

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në bashkëpunim me Konrad-Adenauer-Stiftung Kosovo, ka organizuar një tryezë diskutimi ku u prezantua raporti i tretë me temën “Mbrojtja e kapitalit natyror të Kosovës: Qeverisja e biodiversitetit, zgjerimi i zonave të mbrojtura dhe përafrimi me BE-në në kuadër të Agjendës së Gjelbër”.

Në diskutim morën pjesë përfaqësues institucionesh, organizata mjedisore dhe partnerë të tjerë të sektorit, me fokus te sfidat dhe prioritetet e mbrojtjes së biodiversitetit në Kosovë.

Sipas raportit, Kosova duhet të fokusohet në katër prioritete kryesore deri në vitin 2030: zgjerimin e zonave të mbrojtura dhe lidhshmërinë ekologjike, forcimin e qeverisjes së ekosistemeve të ujërave të ëmbla, mbrojtjen dhe menaxhimin më të mirë të pyjeve, si dhe adresimin e ndikimeve të aktiviteteve industriale dhe minerare mbi biodiversitetin, përcjell Energy Monitor.

INDEP vlerëson se zgjerimi i zonave të mbrojtura është i domosdoshëm për përafrimin e Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian dhe për ruajtjen afatgjatë të ekosistemeve natyrore.

Raporti po ashtu ngre shqetësime për degradimin e habitateve ujore, prerjet e paligjshme në pyje dhe mungesën e masave sistemore rehabilituese për zonat e prekura nga industria dhe minierat.

Në panelin e diskutimit morën pjesë edhe Krenare Salihu nga Ecopana dhe Ramiz Parduzi nga OJQ “Biodiversiteti”.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com