Tregu ditor i energjisë elektrike i bursës Kosovë–Shqipëri (ALPEX) ka regjistruar një rekord të ri historik gjatë muajit maj, me gjithsej 202.9 GWh energji të tregtuara, njofton ALPEX.
Sipas të dhënave zyrtare, ky volum paraqet një rritje prej 63% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke reflektuar zgjerim të ndjeshëm të aktivitetit tregtar në tregun rajonal të energjisë.
Në ndarje sipas zonave, në Shqipëri janë tregtuar 142.7 GWh, ndërsa në Kosovë 137.6 GWh energji elektrike. ALPEX thekson se këto vlera përfshijnë edhe efektin e tregtive ndërkufitare, të cilat llogariten në mënyrë të dyfishtë në volumet përkatëse të zonave, përcjell Energy Monitor.
ALPEX, i themeluar nga operatorët e transmetimit OST (Shqipëri) dhe KOSTT (Kosovë), nisi funksionimin në vitin 2020, ndërsa tregtimi i parë ndërmjet dy zonave u realizua në janar të vitit 2024. Aktualisht, bursa numëron 46 anëtarë dhe po vijon konsolidimin e saj si një nga mekanizmat kryesorë të tregut rajonal të energjisë.



