Në kuadër të Takimit të 15-të të Konferencës së Palëve të Konventës për Ruajtjen e Llojeve Migratore të Faunës së Egër (CMS COP15), të mbajtur në Brazil, vendet e rajonit të Ballkanit kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së rrëqebullit ballkanik, një nga speciet më të rrezikuara në Evropë.
Gjatë këtij takimi është prezantuar dhe miratuar Strategjia Rajonale për Ruajtjen e rrëqebullit ballkanik, e cila synon forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe mbrojtjen afatgjate të kësaj specieje të rrezikuar në mënyrë kritike.
Strategjia është zhvilluar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), Sekretariati i Konventës së Karpateve, IUCN Cat Specialist Group, Programi për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit, si dhe autoritetet kombëtare nga vendet e rajonit, përfshirë Kosovën.
Në proces kanë kontribuar edhe institucionet qeveritare dhe organizatat joqeveritare nga Kosova, duke marrë pjesë aktive në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe dialogut ndërkufitar për mbrojtjen e biodiversitetit, përcjell Energy Monitor.
Me miratimin e strategjisë, vendosen bazat për një koordinim më të mirë ndërmjet vendeve të rajonit, rritjen e bashkëpunimit në mbrojtjen e habitatit dhe sigurimin e një qasjeje të qëndrueshme për ruajtjen e rrëqebullit ballkanik.
Takimi i CMS COP15 ka mbledhur përfaqësues të qeverive, shkencëtarë, ambientalistë dhe komunitete lokale për të adresuar sfidat urgjente të ruajtjes së specieve migratore që kalojnë kufijtë ndërkombëtarë. Nën moton “Lidhja e Natyrës për të Mbështetur Jetën”, konferenca ka theksuar rëndësinë e lidhshmërisë ekologjike për ruajtjen e ekosistemeve dhe për mirëqenien e njeriut.



