Home / Lajme / Energjia konvencionale / KEK: Hashani mbikëqyr nga afër modernizimin e TC Kosova B, në fokus siguria dhe standardet evropiane

KEK: Hashani mbikëqyr nga afër modernizimin e TC Kosova B, në fokus siguria dhe standardet evropiane

Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë të ditur se Kryeshefi Ekzekutiv, Gramos Hashani, së bashku me menaxhmentin operativ, po mbikëqyrin nga afër zbatimin e projekteve të modernizimit në Termocentralin Kosova B.

Sipas njoftimit, vizitat e rregullta në terren dhe takimet me ekipet teknike janë pjesë e monitorimit të vazhdueshëm të punimeve, të cilat po zhvillohen me intensitet të lartë dhe përfshijnë ndërhyrje të rëndësishme në kapacitetet ekzistuese prodhuese.

Projektet aktuale përfshijnë modernizimin e turbinave, instalimin e elektrofiltrave dhe sistemit DeNOx në njësinë B1, si dhe realizimin paralel të remontit vjetor në njësinë B2 të TC Kosova B.

Sipas KEK-ut, këto ndërhyrje përfaqësojnë disa nga projektet më të rëndësishme teknike në historinë e termocentralit dhe kanë për qëllim rritjen e sigurisë operacionale, përmirësimin e performancës teknike dhe avancimin e standardeve mjedisore, përcjell Energy Monitor.

Kryeshefi Ekzekutiv, Gramos Hashani, ka vlerësuar angazhimin e stafit teknik dhe menaxhues, duke theksuar rëndësinë strategjike të këtyre investimeve për sigurinë energjetike të vendit dhe afrimin e KEK-ut me standardet evropiane.

KEK ka theksuar se mbetet i përkushtuar ndaj operimit të qëndrueshëm dhe modernizimit të vazhdueshëm të kapaciteteve prodhuese, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare në sektorin energjetik.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com