Zyra e Rregullatorit për Energji ka njoftuar se Kosova është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Energy Regulators Regional Association, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të mbajtur më 28 prill 2026 në Bratislavë, Sllovaki.
Deri më tani, Kosova ka qenë anëtare e asociuar e këtij mekanizmi rajonal që nga themelimi i tij. Me statusin e ri, ZRRE fiton të drejtë të plotë pjesëmarrjeje në proceset vendimmarrëse, përfshirë të drejtën e votës dhe një rol më të fuqishëm në zhvillimin e praktikave rregullatore në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.
Sipas ZRRE-së, ky zhvillim përfaqëson një arritje të rëndësishme institucionale dhe dëshmon për angazhimin e vazhdueshëm në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare të rregullimit të sektorit energjetik, njofton Energy Monitor.
Po ashtu, theksohet kontributi aktiv i ekspertëve të institucionit në forumet profesionale dhe iniciativat bashkëpunuese të ERRA-s.
ZRRE ka bërë të ditur se përmes këtij anëtarësimi do të intensifikojë bashkëpunimin me rregullatorët homologë dhe do të kontribuojë në avancimin e kornizës rregullatore, duke promovuar transparencë, qëndrueshmëri dhe integrim më të thellë të tregut energjetik në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.



